Nga Alfred Peza/
Më duhet ta them që në fjalinë e parë se askush në Europë dhe botën demokratike, nuk mund të legjitimojnë një skenar politik që gris në mes të lojës një kontratë me qytetarët, me synimin për tu rikthyer që të qeverisë sistemin, nëpërmjet daljes prej tij. E gjitha kjo, ka një arësye fare të thjeshtë: Nëse ky precedent pranohet për opozitën e Shqipërisë, atëherë ai do të përhapet më shpejt se virusi i gripit, për ta shkatërruar sistemin e demokracisë funksionale kudo në botë.
Ose e thënë akoma edhe më thjeshtë: Me vendimin për dorëzimin e mandateve të deputetëve, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi shënuan një precedent të rrezikshëm e të panjohur kurrë më parë në botën demokratike. Nëse ky precedent do të pranohej prej tyre, atëherë çdo opozite tjetër në secilin vend tjetër të botës, i lind e drejta që të kërcënojë apo të dorëzojë në çdo kohë mandatet e deputetëve të saj, nëse atyre nuk do u dhurohet pushteti jo me zgjedhje, por në tavolinë.
Për një moment, le të pranojmë se pas dorëzimit të mandateve të deputetëve të opozitës, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohëshme nëpërmjet një qeverie tranzitore pa Edi Ramën Kryeministër. Le të besojmë se në përfundim të tyre, opozita jonë do të rikthehet në pushtet dhe Lulzim Basha do të behet Kryeministri i ri i Shqipërisë dhe Partia Socialiste do të kalojnë në opozitë.
Nisur nga ky precedent, pas 6 muajsh apo një viti a dy, për njëmijë e një arësye të mos arësyes së arsyes, deputetët e opozitës së re socialiste do të dorëzonte mandatet, ashtu siç bëri opozita e vjetër sot. Atëherë çfarë do të ndodhë? Sipas logjikës së sotme të Bashës dhe Kryemadhit, edhe në këtë rast vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohëshme, e kështu edhe me opozitën e re që do vinte pas kësaj, pambarimisht. Ku shkojmë me anë të kësaj rruge? Çfarë ka më fund të saj? Çfarë na prêt në fund të kësaj errësire? Nëse do arrijmë atje, ne thjeshtë do ta bënim Shqipërinë, një vend përjetësisht të paqeverisshëm.
Ndaj, më shumë sesa ta dëmtojë apo ta detyrojë që të hedhi vallen sipas lodrës së re të opozitës sonë, kjo lojë vetëm e ndihmon Edi Ramën. Pse? Sepse Europa dhe bota demokratike jo vetëm që nuk do ia pranojnë këtë skemë dhe nuk do ia njohin opozitës sonë këtë rrugë, por ato tani e tutje do të jenë edhe më të interesuar se Edi Rama që të mos e lejojnë krijimin e një precedenti të tillë fatal.
Politikanët shqiptarë, nuk mund të jenë qenie me inteligjencë jashtëtokësore, për aq kohë sa kjo lojë nuk ka ndodhur kurrë në historinë e njerëzimit deri më sot. Nga ana tjetër, Shqipëria mund të jetë shquar për shumë gjëra në historinë e vet, por kurrë si një “laborator” demokracie. Kështu që nuk i ka mbetur as Lulzim Bashës, As Monika Kryemadhit dhe as partive politike shqiptare, që të shpikin rrugë të reja në një sistem demokratik të botës së qytetëruar. Ndaj as Brukseli e as Uashingtoni, nuk kanë për tu lejuar kurrë, që kjo gjë që nisi sot, të luhet në Shqipëri.
Le ta pranojmë për një moment, se ky precedent do të lejohej dhe do të pranohej që të ndodhte. Atëherë kjo përvojë kaq “e vyer” e opozitës sonë, mbi bazën e rregullit të precedentit të pranuar, do të përqafohej edhe nga politikanë, parti apo grupime të tjera politike kudo në botë.
Atëherë çfarë do të ndodhte pas kësaj me rregullat e lojës demokratike që e mbajnë në këmbë sistemin? Çfarë do të ndodhte pas kësaj me zgjedhjet për në Parlamentin Europian, në Itali, në Francë, Britaninë e Madhe, Gjermani, Greqi, SHBA, Kanada, etj.? A do të kishim më një sistem demokratik funksional, sipas rregullave të gjithpranuara e të gjithzbatuara deri më sot?
Jo. Sepse thjeshtë e gjithë Europa dhe e gjithë bota, do të shndërrohej në gjithçka tjetër, përveç kësaj që ne njohim deri më sot nga historia. Kështu që loja e opozitës sonë me djegien e mendateve të deputetëve, për ta detyruar mazhorancën qeverisëse që tua dorëzojë pushtetin në tavolinë, është e humbur pa nisur ende. Ndaj, pasi e prishi kontratën me popullin që i ka besuar votën dhe e injoroi vullnetin e tij, Zoti e ndihmoftë opozitën tonë!