Nga Ardit Rada
Në 48 orët që lamë pas, përfaqësitë kyçe diplomatike në Tiranë i kanë bërë thirrje të vazhdueshme opozitës që të heqë dorë nga opsioni i djegies së mandateve.
Sipas Ambasadës së Bashkimit Evropian dhe asaj të SHBA-ve, kjo do të pengonte përparimin e vendit në proceset integruese dhe në funksionimin e demokracisë.
Por në një klimë ku opozita nuk ka dhënë shenja për ta anuluar opsionin radikal që ka marrë përsipër, duket se mazhoranca ka bërë një hap prapa.
Burime të besueshme brenda Grupit Parlamentar të PS bëjnë të ditur për Javanews se mazhoranca po sheh mundësinë që të mos e zhvillojë nesër seancën plenare.
Kjo jo vetëm për shkak të protestës së paralajmëruar, ku nuk përjashtohet një ‘skenar maqedon’ mbi godinën e Kuvendit, por edhe për t’i dhënë një mundësi reflektimi opozitës.
Zërat për anulimin e seancës së nesërme bëhen edhe më të besueshme për shkak të rendit të ditës, publikuar në faqen e Kuvendit të Shqipërisë.
Pavarësisht se kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka parashikuar seancën e radhës për të enjten, dokumenti parashikon vetëm datën, por jo orën kur do të zhvillohet ajo.
Nga ana tjetër, Ruçi ka paralajmëruar sot në orën 17:00 një konferencë të për shtyp ku krahas një apeli për opozitën, mund të njoftojë pikërisht anulimin e seancës plenare të së nesërmes.
/javanews/