Ish- anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike Endira Bushati ka folur për aksionin opozitar për të djegur mandatet, ndërsa u shpreh se do të jetë e vështirë që opozita të marrë një hap të tillë.
E ftuar në “Natë me Xhaxhiun”, Bushati u shpreh se Basha po kërkon që të ushtrojë presion ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama, pasi kërkon që të futet në një marrëveshje tjetër.
Ajo deklaroi se nëse Basha do të djegë mandatet duhet të fillojë nga vetja e tij, që të japë dorëheqjen dhe të bëhet shembull për deputetët e tjerë.
“Vështirë se do të digjen mandatet. Unë e gjykoj kështu, zoti Basha ka hyrë në zgjedhjet e 2017 pas një marrëveshje të fshehtë.
Hyri në Kuvend pikërisht për të mos djegur mandatet, ku pati dhe një sulm me vezë për të larë turpin.
Tani çfarë ndodhi? Çfarë ndryshoi? Tani unë e pranoj se protesta është masive. Unë e di dhe sa kushton një protestë e tillë.
Zoti Basha këtë propozim për mandatet nuk po na thotë një gjë orgjinale.
Basha doli me një lëvizje surprizë, sepse në këndvështrimin tim, protesta ka qenë një dështim politik i Lulzim Bashës, ajo vërtetoi se opozita nuk ka lider, partia nuk ka lidër.
Thotë që me datë 16 shkurt do të rrëzoj Edi Ramën dhe nuk bën asgjë.
Atë natë Lulzim Basha ka qenë në kuotën e vet më të ulët se asnjëherë. Atëherë ai nxorri asin nën mëngë duke thënë se do të djegim mandatet.
Djegia e mandateve të deputetëve do të fuste në krizë politike Ramën dhe qeverinë, por ky është krijimi i një krize për të marrë një marrëveshje tjetër.
Basha thotë që nuk ka zgjedhje me Edi Ramën, kur e kuptoi këtë? Lulzim Basha i ka njohur zgjedhjet në 2017, sepse ashtu e kishte marrëveshjen.
Djegia e mandateve është guri i fundit që i ka ngelur Lulzim Bashës për të ruajtur karrigen e kryetarit.
Lulzim Basha nuk ka ndërmend që ti djegë mandatet. Kur është puna për të bërë listën e deputetëve del në mesnatë dhe e harton pa u konsultuar.
Lulzim Basha nuk mbledh forumet! Çfarë ndodhi tani? Të japë shembullin e vet të japë dorëheqjen!
Pse nuk e bën këtë, po u dashka grupi i punës, e pastaj të shohim për të ushtruar një presion tek Rama që të ulen në tavolinë dhe të arrihet diçka.”– u shpreh Bushati.
/a.meta