Nga Armando Meta/
Prej disa javësh opozita ka vënë në qendër të axhendës së saj politike disa kronika të Zërit të Amerikës (VOA), duke krijuar imazhin se një nga mediat me reputacion ndërkombëtar dhe e njohur gjerësisht edhe për shkallën e profesionalizmit, është kthyer dhe po përdoret tashmë si karburant politik për të destabilizuar situatën në Shqipëri.
Mjafton të dëgjosh deputetët e PD nëpër studio, ku VOA është kryefjala e tyre politike, për të kuptuar se opozita po e përdor radion zyrtare të SHBA si një instrument politik për kauzat e saj. Madje opozita ka shkuar dhe më tej në përpjekjet për ta bërë palë edhe VOA-n, duke deklaruar se edhe djegia e mandateve të deputetëve merr shkas nga…kronikat e VOA-s. Një pretendim ky duket absurd e mjaft komik, si vetë vendimi verbal i PD- LSI për të djegur mandatet e deputetëve të opozitës. Thënë thjesht, VOA po përdoret si pretekst për të justifikuar të gjitha akuzat e opozitës, edhe ato më absurdet.
Por a ka bazë në pretendimet e opinionit publik e atij politik, se VOA po afishohet në mënyrë abuzive nga opozita si përkrahëse e saj dhe si motivi kryesor i djegies së mandateve të pakicës? Nga ana tjetër a është e drejtë që VOA të lejojë këtë keqpërdorim të autoritetit të saj? A është e drejtë të pretendohet se akuzat për përgjimet mund të konsiderohen si qëndrim i qeverisë amerikane për të larguar Edi Ramën. Nëse është kështu, si duhen konsideruar shkrimet faktike mbi lobimet e opozitës në SHBA, apo intervistat polemike me Presidentin Meta etj ne studiot e VOA?
A është e drejtë të thuhet se VOA po e përdor standardin e saj profesional të lartë në shërbim të një kauze politike? Përgjigja është “Jo”, megjithë zhurmën e opozitës për të na bindur për të kundërtën. Gjithsesi janë një seri pikëpyetjesh të cilat ngrihen jo thjesht sepse opozita shqiptare rreket të kapet pas çdo ngjarje në mjedisin shqiptar në mungesë të alternativave të saj, por për faktin se vetë VOA po hesht, për mënyrën se si opozita e shet tashmë si aleat të saj në luftën drejt rikthimit të dhunshëm në pushtet në Shqipëri.