Familjarët që kanë të afërmit të shtruar e dinë shumë mirë se pas orës 8 të mëngjesit duhet një mrekulli që të gjesh një vend parkimi të lirë në 6000 metra katror hapësirë, por pavarësisht këtij fakti tek trau nuk të ndalon kush mjafton që të marrësh biletën që kushton 1 mijë lekë dhe ta paguash në dalje.Pamundësia për të gjetur një vend parkimi i shtyn drejtuesit e automjeteve drejt dilemës, të paguajnë dhe të dalin pa parkuar apo të shkelin rregullat e qarkullimit duke parkuar ku të munden, në shumicën e rasteve duket se ndodh e dyta.
Sa i përket kësaj të fundit gjoba është më e pakta edhe pse kanë blerë një biletë parkimi në hyrje, por mund të ndodh edhe që shoferët të konflinktohen me njëri-tjetrin sidomos kur dikush bllokon rrugën apo daljen nga parkimi.
Në shumicën e rasteve pa parkim mbeten edhe vetë mjekët që punojnë në QSUT ndërsa për personelin infermieror dhe atë ndihmës, parkimi është luks pasi ai është me lekë njësoj si për çdo qytetar.
Me të drejtë shtrohet pyetja a kemi të bëjmë me spital apo me një megaparkim, dhe mbi të gjitha kush mban përgjegjësi për ndotjen e madhe të gazrave që çlirojnë automjetet që vijnë përqark në kërkim të një vendi bosh?
Prej dhjetorit 2018, qeveria ia ka ngarkuar menaxhimin e parkingut në QSUT Fondit Shqiptar të Zhvillimit për një menaxhim më të mirë të këtij aseti publik si dhe të ardhurave të mëdha që gjeneron dhe paralelisht për ti dhënë zgjidhje trafikut që bëhet pengesë për funksionimin normal të spitalit. Se çfarë ka ndryshuar e tregojnë më mirë pamjet.
(BalkanWeb)