“103 mjekë familje kanë aplikuar për t’u punësuar në sistemin shëndetësor parësor dhe pritet të punësohen në qendrat shëndetësore dhe pikat e ambulancave në të gjithë vendin brenda muajit shkurt”.
Deklarata u bë nga ministrja Manastirliu, gjatë inspektimit në qendrën e rehabilituar shëndetësore Babrru, në zonën e Paskuqanit.
Duke theksuar investimin në vijim tek burimet njerëzore, Manastirliu deklaroi se po ndërtohet platforma “Mjekë për Shqipërinë”, një dritare e hapur për të gjithë mjekët që duan t’i bashkohen sistemit publik, të aplikojnë e të punësohen në qendrat shëndetësore dhe spitalet në të gjithë vendin.
“Është një thirrje për çdo mjek që sapo është diplomuar dhe pritet të marrë licensën e ushtrimit të profesionit si dhe për çdo mjek që do të punësohet qoftë në qendra shëndetësore apo edhe spitale, të aplikojë për t’u punësuar në sistemin publik”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë u ndal edhe tek programi më i ri që ofrohet falas në qendrat e kujdesit parësor në vend.
“Kemi kthyer vëmendjen e munguar prej vitesh në portën e parë të kujdesit shëndetësor, jo vetëm me përmirësimin e infrastrukturës, por edhe me programet kombëtare të parandalimit, si programi i depistimit të kancerit të qafës së mitrës për gratë e grupmoshës 40-49 vjeç, me ofrimin e analizës HPV falas në çdo qendër shëndetësore”, tha Manastirliu.
Qendra Shëndetësore Babrru, e rikonstruktuar plotësisht në kuadër të programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore, ofron sot një standard të ri shërbimi për rreth 10 mijë banorët e kësaj zone.
Kjo qendër është një ndër 14 qendrat shëndetësore dhe pikat e ambulancave në Tiranë, të rehabilituara gjatë fazës së parë të programit të rehabilitimit të qendrave shëndetësore. 100 qendra të tjera shëndetësore pritet të rehabilitohen brenda këtij viti, nga veriu në jug të vendit.
/a.r