Pak ditë pas aksidentit tragjik në Maqedoni me 14 viktima, zbulohet identiteti i një prej shqiptarëve që mbeti i plagosur rëndë. Burime për “BalkanWeb” bënë me dije se një nga të plagosurit e këtij aksidenti është nga Kukësi dhe është regjistruar në spital me emrin Fikiri Mici. Por dyshohet se emri i vërtetë i të aksidentuarit është Fiqiri Mici.
Burimet thanë se bëhet fjalë për një burrë, rreth 46 vjeç i cili ndodhet në gjendje kritike për jetën. Mësohet se Mici është me origjinë nga Kukësi por me banim në Tiranë.
Në aksidentin tragjik 14 persona gjetën vdekjen dhe mbi 20 të tjerë u plagosën. Aksidenti ndodhi në rrugën Shkup-Tetovë, në fshatin Llaskarcë kur një autobus u rrokullis disa herë dhe ra në një hendek anës rrugës. Për të nxjerrë njerëzit u desh ndërhyrja e ekipeve të emergjencës për shkak se kishin mbetur të bllokuar brenda autobusit.