Administrata e Presidentit Donald Trump reagoi ndaj komenteve të një ish-drejtori në detyrë të FBI-së, i cili tha se dy vjet më parë, zyrtarët e lartë të zbatimit të ligjit po shikonin mundësinë e përdorimit të një amendamenti kushtetues për të hequr presidentin, pasi ai kishte shkarkuar drejtorin e atëhershëm të FBI-së James Comey.
Ish zyrtari Andrew McCabe, në një intervistë për televizionin CBS News, tha gjithashtu se ai hapi një hetim ndaj presidentit për shkak të shqetësimit se hetimi i prokurorit të posaçëm Robert Mueller rreth lidhjeve ndërmjet fushatës Trump dhe Rusisë do të rrezikohej nëse ai do të shkarkohej.
“Isha shumë i prokupuar për ta vënë çështjen e Rusisë në një terren absolutisht të fortë dhe në mënyrë të pashlyeshme”, i tha zoti McCabe intervistuesit të televizionit CBS, Scott Pelley. “Qëllimi ishte që, nëse më hiqnin me shpejtësi ose më shkarkonin apo transferonin, çështja të mos mbyllej ose të shuhej pa gjurmë”, tha ai.
Departamenti i Drejtësisë, i cili mbikëqyr FBI-në, e quajti shpalosjen e fakteve nga zoti McCabe “të pasaktë dhe faktikisht të gabuar”. Në një deklaratë, departamenti thotë gjithashtu se inspektori i përgjithshëm i tij gjeti se zoti McCabe “në shumë raste nuk ua tregoi të vërtetën autoriteteve federale dhe kjo çoi në shkarkimin e tij nga posti në krye të agjencisë.”
Pak pas përfundimit të intervistës së zotit McCabe, Presidenti Trump e quajti ish-zyrtarin “një turp për FBI-në dhe një turp për vendin tonë”.
Presidenti Trump përmendi në Twitter zgjedhjen e tij në vitin 2016 në garë me demokraten Hillari Klinton, duke thënë: “Ish-drejtori në detyrë i FBI-së, Andrew McCabe, tashmë i larguar me turp, pretendon të jetë ‘një engjëll i vogël’, kur në të vërtetë ishte pjesë e madhe e skandalit të Mashtrueses Hillary që shpiku çështjen e Rusisë, si dhe një kukull e James Comey-t, që nxirrte lajme për mediat”.
Në mars 2018, Jeff Sessions, në atë kohë Prokuror i Përgjithshëm, e shkarkoi zotin McCabe, duke e privuar atë nga përfitimet e pensionit të plotë. VOA/
E.Xh./