Shqipëria ishte pjesë e Ministerialit dyditor të NATO-s, të zhvilluar dje dhe sot në Bruksel, sigurisht e përfaqësuar nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Ndryshe nga herët e tjera, për herë të parë në këtë ministerial mori pjesë edhe homologia e saj nga Maqedonia e Veriut, Radmilla Sheqerinska. Kjo e fundit falënderoi Shqipërinë për ratifikimin e protokollit të anëtarësimit të vendit të saj në aleancën e Atlantikut të Veriut.
Gjatë ministerialit, ministrat e mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s diskutuan dhe mbështetën unanimisht Shtetet e Bashkuara, në lidhje me pretendimet për shkelje të vazhdueshme nga Rusia të Traktatit të Armëve Bërthamore me rreze të mesme veprimi.
Në këtë takim u diskutua edhe situata e sigurisë në Kosovë dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Xhaçka, në emër të qeverisë shqiptare theksoi vendosmërinë për të kontribuuar në të gjitha misionet e NATO-s, si dhe konfirmoi angazhimin për rritjen e buxhetit të mbrojtjes në kufirin e 2 për qind të prodhimit kombëtar deri në vitin 2024, angazhim ky që u vlerësua nga homologët e saj.
/a.meta