Shqipëria, një destinacion kyç për prodhimin dhe tranzitimin e substancave narkotike është një fjali që bazuar në të dhënat e “Guardia di Finanza” do t’i mbetet historisë. Shifrat e publikuara ditën e sotme në raportin vjetor mbi hashashin në vendin tonë, të dhëna të përpiluara eksluzivisht nga italianët pa asnjë input nga pala shqiptare, tregojnë se fenomeni i hashashit në mos është zhdukur, është në një agoni të plotë.
Nga pothuajse 200 orë fluturime që kanë skanuar të gjithë territorin e vendit, është arritur të zbulohen vetëm 0,8 hektarë të mbjellë me kanabis, një përgjysmim krahasuar me vitin 2017, i cili nga ana e tij ishte viti më i suksesshëm në historinë e vendit.
Vetëm pesë vite më parë, në vitin 2013, “Guardia di Finanza” evidentonte në shumë më pak orë fluturimi plotë 320 hektarë të gjelbëruar nga hashashi, pa llogaritur Lazaratin, ku të dhënat flisnin edhe për 300 hektarë shtesë. Fenomen Përsa i përket parcelave të mbjella, në vetëm pak vite kemi rënë nga disa qindra, në vetëm 27 të vitit 2018.
Të dhënat për reduktimin drastik të kultivimit të kanabisit në vendin tonë konfirmohen edhe nga numri i hashashit “made in Albania” të sekuestruar gjatë vitit të lënë pas në Itali.
Në total, policia e vendit fqinj arriti të ndalonte 6,5 tonë hashash me prejardhje nga vendi ynë, një reduktim drastik krahasuar me 35 tonët e 2017-s.
Ndërkohë, Policia e Shtetit raporton se përgjatë vitit kalendarik 2018 u shpallën 220 persona në kërkim, gjysma e të cilëve tanimë të vendosur në pranga.
Dorës së shtetit nuk i kanë shpëtuar edhe funksionarët e saj që ndër vite janë pasuruar nga ky flirt i vazhueshëm me krimin. 47 drejtues të njësive administrative, policë bashkiakë apo roje pyjore të arrestuar për moskallëzim krimi, 14 policë të pushuar nga puna dhe 9 të tjerë të arrestuar.
Kapja në janar e Klement Balilit në fakt paralajmëroi një “furtunë” të re në luftën kundër drogës. Të dhënat e “Guardia di Finanza” konfirmojnë se taktika e ndjekur po jep sukses.
Në këto rezultate të shkëlqyera të arritura në luftën kundër drogës për vitin e lënë pas, një kontribut të rëndësishëm kanë dhënë edhe disa taktika inovatore të provuara për herë të parë në vendin tonë.
Përveç punës së saj zbuluese në terren, Policia e Shtetit ka përpiluar një numër hartash digjitale për të gjithë territorin e vendit, ka punuar në parandalimin e përhapjes së farërave dhe ka ushtruar kontrolle të vazhdueshme në sera, tunele apo infrastruktura të tjera të braktisura ushtarake, që ndër vite janë përdorur me sukses nga grupet kriminale të kultivimit të hashashit.
/a.meta