Trafikanti më i njohur në botë, meksikani Joaquin ‘El Chapo’ Guzman, është dënuar me burgim të përjetshëm nga një gjykatë amerikane. Ai do e vuajë dënimin në një prej burgjeve më të famshëm në botë, që njihet edhe si “Alkatrazi i Shkëmbinjve”.
Në këtë burg izolohen kriminelët më të rrezikshëm në botë, si terroristë, vrasës të famshëm, por edhe anëtarë të grupeve rivale. Guzman, që njihet si ‘Mbreti’ i kokainës, do të ketë zero mundësi që të arratiset nga burgu ADX Florence në Kolorado, edhe pse është bërë i famshëm për dy arratisjet e tij, nga burgjet e sigurisë së lartë në Meksikë.
Në ADX Florence, ku ka rreth 400 të burgosur, vendosen secili në njësi të veçanta kontrolli, që njihen edhe si burgje brenda burgut. Të burgosurit ngujohen në një qeli për një person mbi 23 orë në ditë, duke u mohuar atyre praktikisht çdo kontakt me botën e jashtme.
Aty ndodhen të burgosur njerëzit më të tmerrshëm në SHBA, nga Unabomberi, njeriu që projektoi sulmin me bomba në Qendrën Tregtare Botërore në Nju Jork në vitin 1993, deri te terroristi i Maratonës së Bostonit.
Mes të burgosurve të tjerë është edhe Osiel Cardenas Guillen, që dikur drejtonte kartelin e Gjirit. Në këtë burg jo vetëm që nuk ka asnjë shans arratie, por as ndikimi apo mundësi kërcënimi ndaj dikujt që ndodhet jashtë burgut, pasi të burgosurit janë totalisht të izoluar./a.meta