Ky njeri ka filluar misionin. Deri tani ka qenë i përqendruar në atdheun e vet, në Hungari, ku ai sheh kombin dhe kristianizmin të rrezikuar nga migrantët, por tani ai ka ngarë të bëhet udhëheqës i barrikadave të vendeve të Europës lindore. Dhe armiku kësaj herë ndodhet në perëndim. Jo vetëm gjeografikisht, por edhe ideologjikisht. Viktor Orban, burri i fortë i të djathtës, në popullin dhjetë milionësh të Hungarisë, ka filluar kryqëzatën kundër liberalizmit multikulturor të Europës së vjetër. Instrumenti i tij janë migrantët myslimanë.
Ajo çka tha ai ditën e dielë (10.02.) në fjalimin e tij për gjendjen e kombit, dëgjohet si hapje lufte ndaj klubit të shteteve në Bruksel. Si “sulmin final” e vlerëson Orban ritualin demokratik për zgjedhjen e një parlamenti të ri europian. Më luftarake nuk mund të bëhet. Nuk duhet menduar se burri i fortë nga Budapesti e ka ngritur zërin dhe dorën kundër familjes së vet.
Mënyrë tjetër e të kuptuarit të demokracisë
Brukselin, tokën e premtuar para rënies së murit, ai e sheh vetëm si “një kështjellë të internacionales” dhe instrumenti i saj, migracioni. Pikërisht me këtë temë punon 55-vjeçari që prej verës së 2015. Kundër politikës së Merkelit për hapjen e portave ai ka fituar dhe ka gjetur edhe përkrahës të rinj. Në Poloni, Sllovaki, në Kroaci ose në Republikën Srpska, Orbani ka simpatizantë gjithandej. Sepse 30 vjet pas ndryshimeve politike, lindja e gjitha bashkë ka një mosbesim të thellë kundër shoqërisë multikulturore, kundër demokracisë në përgjithësi. E drejta e shumicës, që duhet vënë në jetë edhe me metoda rustikale, është shenjë që karakterizon “demokracinë joliberale” të Orbanit.
Me lindjen e fëmijëve të luftohet infiltrimi mysliman
Orban kujdeset për “shumicën e tij”.”Ne duam fëmijë hungarez,” i thotë Orbani njerëzve të ftuar për të dëgjuar fjalimin. Ai edhe do paguajë për këtë. Gratë nën 40 vjeç do të marrin kredi 30 mijë euro, të cilin nuk kanë nevojë ta paguajnë mbrapsht, mbasi të kenë lindur fëmijën e tretë, në mënyrë që “të mbrojë identitetin hungarez dhe trashëgiminë kristiane”.
Përballë skenës politike të BE, që është larg njerëzve dhe e mërzitshme, fenomeni Orban mund të shihet në Mynih, Bruksel ose Paris si një lojë e bukur folkloristike. Por e vërteta është, Orbani do i merrte votat kudo që të ishte në Jug- Lindje të Europës. Ai personifikon Homo Politikusin e ri në masën falimentuese të Luftës së Ftohtë në lindjen gjeografike. Çudia e madhe për orën historike që i dha lirinë 30 vjt më parë “bllokut lindor” ka kaluar. Problemet më të mëdha ekonomike janë mposhtur, edhe me burimet miliardëshe që kanë rrjedhur nga arkat e Brukselit. Tani, Brukseli duhet të shkojë edhe më në lindje dhe jo lindja në perëndim.
Orban, shefi i filiales lindore të BE
Orbani ka kohë që nuk ka mbetur vetëm një fenomen hungarez. “Ai është udhëheqësi ynë dhe binjaku ideologjik”, thotë shefi i PiS në Poloni, Jaroslaw Kaczynski për hungarezin. Prej kohësh ndikimi i katër vendeve të Vishegradit (Poloni, Hungari, Çeki, Sllovaki) po bëhet i ndjeshëm edhe tek vendet që nuk janë në këtë aleancë. Austria është simpatizante, Sllovenia po ashtu për të mos folur për rrymat populiste të djaththa në Europë dhe Europën Juglindore.
BE ka kohë që ka të bëjë me krijimin e një blloku që është kundër qendrës. Kuarteti i Vishegradit, që nuk u morr seriozisht në fillim përpiqet për të ndikuar mbi zgjerimin. Ballkani perëndimor është në fokus, Ukraina po ashtu.
“Fraksioni joliberal” kundër BE-së së vjetër është duke u rritur dhe jo vetëm për politikën e migracionit. Shteti nacional shihet në lindje si arritja më e madhe, si përshembull në reformën e sistemit polak të drejtësisë, kjo fjalë shihet në këtë vend të ri anëtar të BE njëjtë me sovranitetin. Kjo vlen edhe për kombet e reja (të vonuara).
Kësaj i shtohet edhe simpatia e hapur për një tip politikani të “demokraturës” lindore. Putini gëzon që nga Deti Balltik deri në Adriatik më shumë simpati se sa midis Detit të Veriut dhe Gibraltarit.
“Puszta-Trumpizëm” në Budapest
Berlini, Parisi dhe Brukseli nuk duhet të mashtrohen, Orbani e ka seriozisht. Ka kohë që ai ndodhet në mision jo vetëm në Hungari, rinacionalizimi dhe antiliberalizimi janë mbjellë kudo. Orbani kërkon të largojë tabutë midis konservatorëve qytetarë dhe populistëve të djathtë. Kjo është thjeshtë luftë kulturore në skenën mbarëeuropiane. Le Penat, Wilderat dhe Salvinët nuk janë më të Outlaws e turpshëm politikë, por janë të lidhur ngushtë me familjen e partive popullore europiane në Strazburg.
Lidhjet shpirtërore për lojërat me planet për marrjen e sovranitetit të interpretimeve politike në BE, burri i fortë nga Budapesti i merr rregullisht nga Steve Bannon. Ish-këshilltari i Donald Trumpit shihet si babai i destruksionit total të shtetit. Me demokracinë dhe hapësirën mbrojtëse për pakicat, vjen fundi. Joliberalizmi është dogma. Bannon ka qenë më 2018 tre herë i ftuar i Orbanit./DW
/a.meta