Stafi monitorues i Institutit të Studimeve Politike (ISP) vijon të ndjekë me shqetësim shkeljet flagrante që politikanë të lartë, përfshirë kryeministrin dhe drejtues të partive parlamentare, i bëjnë Kodit të Sjelljes të miratuar nga Kuvendi në prill 2018.
Në Kodin e Sjelljes, neni 6, theksohet se “deputetit i ndalohet të përdorë një gjuhë të shprehuri, e cila nxit urrejtjen në bazë të racës, gjinisë, moshës, origjinës kombëtare, përkatësisë etnike, besimit fetar, prejardhjes sociale, aftësisë së kufizuar, gjendjes ekonomike, arsimore, shoqërore ose shëndetësore, gjendjes civile, familjare ose martesore, orientimit seksual, identitetit gjinor, përgjegjësisë prindërore, predispozicionit gjenetik, përkatësisë në një grup të veçantë ose për çdo shkak tjetër”, si dhe i ndalohet “të shfaqë forma diskriminimi dhe stereotipizimi në komunikimin e përditshëm, në fjalime politike, në veprimtari parlamentare ose jashtëparlamentare ku merr pjesë”. Kodi parashikon se në rast shkeljeje aplikohen masa disiplinore sipas procedurave të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit.
Seancat e të enjtes në parlament, por edhe disa prej debateve në komisionet parlamentare, vijojnë të jenë shembuj flagrantë të shkeljes së etikës, të komunikimit denigrues dhe diskriminues, të ligjërimit diferencues dhe etiketues, të fyerjes dhe shpesh edhe të shantazhit personal e familjar. Ato janë dëshmi e paaftësisë së elitës politike për të prodhuar politikë, e nivelit të lartë korruptiv dhe e kulturës së denigrimit që vjen ndesh me kulturën e shtetit, të alternativës dhe të konkurrencës demokratike. Fatkeqësisht, deri më tani Kuvendi dhe as grupet parlamentare nuk kanë mbajtur qëndrime kritike dhe nuk kanë ndërmarrë akte institucione distancuese dhe disiplinore ndaj individëve që promovojnë praktika të tilla negative dhe në shkelje të ligjit. Arsyeja kryesore lidhet me faktin se bartësit kryesorë të ligjërimit denigrues janë vetë drejtuesit kryesorë të partive politike, pra individët që duhet të ishin edhe garantues të zbatimit integral të Kodit të Sjelljes.
ISP shpreh shqetësimin se praktikat diskriminuese, ligjërimi fyes e denigrues është kthyer tashmë jo vetëm normë në komunikimin parlamentar të së enjtes, por edhe normë në komunikimin e institucioneve në raport me publikun. Disa deklarata të zyrtarëve të lartë të pushtetit ekzekutiv vijojnë të shfaqin publikisht gjuhë fyese dhe denigruese ndaj kritikëve politike dhe qytetarëve që mendojnë ndryshe. Shembull tipik është rasti i kryeministrit Rama, i cili ashtu si edhe sot (11.02.2019) edhe në shumë raste të tjera vijon të përdorë shprehjen “qentë le të lehin” apo “sa më shumë të lehin qentë” – shprehje që ai ia adreson qytetarëve kritikë, medies kritike apo politikanëve kritikë, në tërësi rreth gjysmës së shoqërisë shqiptare. Përdorimi i epiteteve të tilla fyese kolektive ndaj atyre që kanë mendim ndryshe dhe në komunikim institucional midis kryeministrit e qytetarëve të vendit të tij është sa tregues i nivelit të lartë të diskriminimit dhe shkeljes së ligjit nga ana e titullarëve të lartë, aq edhe tregues i mentaliteteve dhe praktikave vendimmarrëse që bien ndesh me parimet e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës.
Për një vend që aspiron hyrjen në BE etiketime të tilla janë investim i kundërt, një praktikë që nuk mund të gjendet në asnjë vend evropian dhe që nuk mund të pranohet nga asnjë shoqëri e civilizuar.
ISP apelon Kuvendin e Shqipërisë, por edhe autoritetet e tjera, përfshirë Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, të ndërmarrin hapat ligjorë të parashikuar në Rregulloret dhe legjislacionin përkatës, për të ndikuar në dhënien fund të retorikës fyese dhe diskriminuese, dhe për respektimin e parimeve të Kodit të Sjelljes në parlament, në institucione dhe në aktivitetin politik apo administrativ jashtë tyre.