Policia e Shtetit, zhvilloi sot analizën e veprimtarisë së kryer përgjatë vitit 2018 për garantimin e rendit e të sigurisë publike. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, në fjalën e tij kërkoi që hetimet proaktive, të jenë anija që prin të gjithë flotën e Policisë së Shtetit.
“Policia e Shtetit shqiptar është një polici e vogël, por problematika jonë nuk është e vogël, ende vazhdon që problematika të jetë e madhe dhe për të arritur që të kompensojmë mungesën e numrave të policisë, mbetet i rëndësishëm bashkëpunimi me qytetarët e këtij vendi.
Është e rëndësishme, është jetike që Policia e Shtetit të forcojë bashkëpunimin me qytetarët e këtij vendi, është e rëndësishme që qytetarët të rrisin besimin tek policia e tyre dhe për të rritur besimin ka vetëm një mënyrë: ta fitosh atë përmes punës, përmes integritetit, përmes ndershmërisë, përmes përkushtimit, përmes angazhimit dhe përmes sakrificës.
Policia është marrë me kriminelët, është marrë me të keqen e vendit por nuk mjafton kjo. Duhet që policia të merret edhe më të keqen e vendit por të merret edhe me qytetarët.
Lufta kundër krimit të organizuar mbetet prioriteti i prioriteteve në tërësi. Sigurisht që këtu është bërë shumë janë ngritur struktura, Task – Forca Qendrore është një histori suksesi, histori e cila duhet të vijojë të thellohet në këndvështrimin tim dhe në detyrat që së shpejti do të bëj publike për Policinë e Shtetit, për strukturat e tjera të Ministrisë së Brendshme. Do të kërkohet që koncepti i Task – Forcës të shtrihet në të gjithë Policinë e Shtetit. E gjithë Policia e Shtetit shqiptar do të jetë Task – Forcë Qendrore për luftën kundër krimit të organizuar”. (BW)