Ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz tha se Gjermania është e përgatitur për një Brexit të ç’rregullt dhe shtoi se Bashkimi Europian do të përfitojë biznesin e financave nga Britania.
Ai tha se askush nuk e priste që të ishte ende e paqartë se çfarë marrëveshje për Brexit do të ketë, ndërkohë që më pak se dy muaj kanë mbetur nga dalja e Britanisë.
“Bashkimi Europian ka bërë përgatitjet e nevojshme për t’i bërë ballë çdo situate dhe ne jemi të përgatitur për një hard Brexit. Mendoj që asnjë nga ne nuk e pret se si do të vazhdojë Brexit”,deklaroi Olaf Scholz.
Ministri shtoi se në fund, do të arrihet në një zgjidhje, pavarësisht se perspektiva në të ardhmen do të ndryshojë. “Në fund, ne do ta gjejmë zgjidhjen dhe do të ketë ndryshime të mëdha. Londra dhe Mbretëria e Bashkuar do të përbëjnë një qendër financiare të rëndësishme në botë”. Scholz tha se Londra do të ruajë pozitën si qendër financiare, por shumë biznese do të zhvendosen nga Mbretëria e Bashkuar në Bashkimin Europian.