Gjykata e Fierit ka pezulluar nga puna dy mjekë të urgjencës së spitalit rajonal Fier, ndërsa ka dhënë masën detyrim paraqitje për një tjetër lidhur me vdekjen e 43-vjeçarit Besnik Ramaj në dhjetor të vitit të kaluar.
Mjekët të cilët janë pezulluar nga puna janë Bledi Dhespollari dhe Emiljano Myrtaj, ndërsa u vendos detyrim paraqitje për kardiologun Viktor Gjini.
Urdhri i pezullimit të mjekëve erdhi pas denoncimit të familjarëve të 43-vjeçarit, të cilët akuzonin mjekët se nuk i kishin dhënë në kohë ndihmën mjekësore dhe shërbimin e duhur familjarit të tyre Besnik Ramaj.
Besnik Ramaj humbi jetën më 23 dhjetor ndërsa po transportohej nga Fieri drejt Tiranës.