Nga Ben Andoni
Vendet ballkanike dhe Kosova, si shteti më i ri mes tyre, janë duke shijuar periudhën demokratike, pas sistemit komunist. Pavarësisht pritjeve, rezultatet janë jo pak zhgënjyese dhe niveli i demokracisë në të gjitha vendet tona lë shumë për të dëshiruar. Korrupsioni është galopant, krimi është bërë thjesht familjar (është në ngritje), kurse niveli i demokracisë në shumë raste ka treguar se është zhgënjyes. Vallë për këtë u luftua dhe u zëvendësua regjimi, apo ai u imponua?! Tashmë, janë gjetur disi përgjigjet e duhura nga historianët dhe politologët, por mungon një vëzhgim i qartë dhe i pranuar nëse Ballkanit i nevojitet një tranzicion i ri apo jo! Duke respektuar procesin e Berlinit, duhet thënë se shtetet e ndryshme ballkanike kanë bërë hapa jo të njëjta sa i përket implementimeve demokratike, porse mbetet në dorë të tyre e ardhmja. Të paktën, kështu u kumtohet nga Brukseli, që ngre stekën e parametrave demokratikë sistematikisht dhe disi jo drejtë.
Kosova gjendet në një udhëkryq të rrezikshëm dhe duket se kaosi i viteve post pavarësi, politika serbe e bllokimit total dhe problemet e mëdha të brendshme dhe jo vetëm e kanë vendosur para një realiteti të ri, ku duket se vendit i duhet t’i mbijetojë zgjidhjeve të reja gjeostrategjike, që tashmë kanë marrë udhë.
A mundet të ketë lëvizje reformimi aty dhe në Shqipëri kundër kastave politike që i drejtojnë?! Për Albin Kurtin s’ka dyshim dhe në aksionin e ri politik, që po përpiqet të inincojë, Pranvera shqiptare është e domosdoshme. Duket se protestat janë në derë dhe do ndodhin paçka se shumë e kuptojnë që Pranverat janë të largëta. Vetë instancat, që mund t’i shtyjnë para proceset, kanë probleme të formimit demokratik dhe nuk është e natyrshme që shpesh mini-lëvizjet që prodhohen, si rezultat i problemeve ekonomike dhe padrejtësisë, të çojnë në anarkira, ku kthimi dhe dëshira më e zakonshme në fund është afrimi te situatat e mëparshme. Po a duhen lëvizje reformimi?! Në formën sesi në Kosovë dhe në Shqipëri janë të organizuara strukturat politike, duhet por nuk ekzistojnë grupe reformimi. Ose më sakta ato mbyten. Në Shqipëri duhet të çbëhet ndryshimi kushtetues i vitit 2008, kurse në Kosovë duhet të mbarojë veç ngërçeve politike, duhet të bëhet edhe kthimi në normalitet, që do të thotë fund i hegjemonisë së PDK dhe LDK.
A mund të garantojnë fuqitë e reja politike ndryshime?! Me çfarë duket është ende e vështirë sepse në momentet që këto forca janë përballur me realitetet demokratike kanë çeduar. Shembull është “Vetëvendosja” në Kosovë me të gjithë forcën e saj, kurse në Shqipëri është “Libra” dhe Aleanca Kuq e Zi, që gjithsesi nuk mundën kurrë të bëhen realitetet reale, siç është gjithsesi partia e Albin Kurtit, e cila në zgjedhjet e fundit u konfirmua si një parti sfiduese.
Tranzicioni duket se nuk do të përfundojë kaq shpejt pasi zhvillimi demokratik do kohë të zhvillohet. Ikja nga komunizmi nuk e shpëtoi Ballkanin dhe ca më shumë Shqipërinë dhe Kosovën, që iu desh të shkëputet dhe nga Serbia. Ndërsa përpjekjet që po bëjnë individë duket se janë të tepërta dhe duken pak donkishoteske, pasi ndryshimet politike para se të ndodhin me fjalë, duhet të fitojnë në koka. E këto të fundit janë ende nën ndikimin e supremacisë së liderave ekzistues dhe ata sfidues, që duan vetëm të fitojnë pikë për pushtetin e tyre por askurrë për njerëzit. Ndaj, PD-ja përcjell kaq dyshim qoftë dhe kur flet realisht, ashtu si Vetëvendosja po zbehet nën vetë diskurset e veta dhe pozicionet shpesh ambigue të njerëzve të tyre.
“Pranvera” duhet të drejtohet nga idealistë që duan të ndryshojnë epoka, kurse ndër shqiptarë, “Pranverat” janë thjesht për të marrë pushtetin. “Vetëvendosja” ka treguar se nuk ndryshon shumë fatkeqësisht, paçka zotësisë së jashtëzakonshme të propagandës që bëjnë. Ndërkohë që shqiptarët e mençur e dinë mirë se udhëtimi demokratik do të kërkojë edhe dekada të tjera, madje edhe pas integrimit evropian. Janë haraçet që nuk i kemi paguar normalitetit në histori dhe nuk i mjaftojnë Pranvera, por duhen mote. (Javanews)