Banorët e zonës së Freskut, Qesarakës dhe ish-Fizikës Bërthamore nuk kanë pse udhëtojnë gjatë për të marrë një shërbim në njësinë e tyre administrative. Pas hapjes së Njësisë 13 në zonën e Kodrës së Diellit dhe Selitës, Njësisë 14 në zonën e Kasharit dhe Unazës së Re, Bashkia e Tiranës hapi edhe zyrat e reja të Njësisë 12 që përfshin lagjet e reja të krijuara vitet e fundit në veri-lindje të kryeqytetit. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj pa nga afër mjediset e reja dhe kushtet që ofron zyra e re, ndërsa theksoi se ky është një premtim i mbajtur për gjithë banorët e kësaj zone.
“Na nisi viti i ri vërtet mbarë, me tre njësi të reja, një këtu tek Fresku, një tjetër te Kodra e Diellit dhe një njëri tjetër te zona e Astirit. Të gjithë ata që janë ndjerë sikur banojnë në një brez kufitar, pra në një zonë asnjanëse, as këtej, as andej, sot kanë njësitë e tyre. Kjo është një mundësi fantastike për të gjithë qytetarët që duan të marrin shërbimet, duke filluar nga ndihma ekonomike, nga certifikatat, apo kartat e reja të identitetit, t’i bëjnë pranë zonës së tyre. Sot është një ditë feste për gjithë komunitetin që jeton tek Teleferiku, tek Fresku, mbi Fizikën Bërthamore, gjithë zona e Qesarakës”, tha Veliaj.
Ai shtoi se tashmë që edhe kjo zonë ka një njësi të vetën që ofron lehtësi për të marrë shërbimet pa qëndruar në radhë, banorët të shfrytëzojnë kohën e mbetur për të kryer regjistrimet e gjendjes civile pranë kësaj njësie. “Duke qenë se banorët kanë shumë kërkesa për bashkinë, kemi dhe ne një kërkesë për ta. Kërkesa e tyre për bashkinë është që të rriten investimet, kërkesa e bashkisë është që të rriten regjistrimet e tyre këtu. Falë votës në Parlament është hequr gjoba, pra regjistrimi bëhet falas; mund të jesh nga Lushnja, nga Librazhdi, Kukësi, Këlcyra, por vjen tek Njësia dhe e transferon falas gjendjen tënde civile”, theksoi kryebashkiaku.