Në vijim të takimeve në rrethe, kryedemokrati Lulzim Basha u ndal ditën e sotme në Krujë për të biseduar me banorët.
Ai tha se gjatë vizitës së tij nuk pa asnjë turist, që të interesohet për zonat turistike apo në dyqane.
“Në dallim me vite më parë, sot situata është shumë ndryshe, ku jo vetëm që nuk ka turistë por 1/3 e popullsisë së Krujës është larguar, shumica e tyre të rinj profesionistë, kjo ka të bëjë me bandën që sot qeveris. Qëllimi i ekzistencës së qeverisjes është të kujdeset për njerëzit, për punësimin, mirëqenien. Që kur ka hipur në atë karrige ju ka marrë gjithë shqiptarëve 2 miliardë euro taksa më shumë, dike rritur taksat, çmimin e naftës dhe energjisë”, u shpreh Basha.
Ai shtoi se Edi Rama nuk ka kthyer asgjë mbrapsht me intensive dhe se Kruja mban numrin më të lartë të familjeve me ndihmë ekonomike.
Por Basha u zotua se punësimi dhe mirëqenia e shqiptarëve është zotimi personal i tij dhe i Partisë Demokratike. Po ashtu premtoi uljen e taksave, të çmimit të naftës dhe benzinës.
Sipas tij institucionet janë kapur nga krimi dhe korrupsioni dhe se Edi Rama është Kryeministër i votave të vjedhura, i bandave dhe kriminelëve.
“Vendi sot nuk ka një qeveri dhe parlament të qytetarëve, por një qeveri të kapur nga krimi. Epitafi i Rilindjes është grabit shumicën e shqiptarëve, për të pasuruar një grusht kriminelësh. Këtu nga Kruja është vendi dhe kuvendi për të dhënë një mesazh 500 vjet më parë një popull i vogël rezistoi këtu në Krujë se ishin të bashkuar. Sot ka ardhur dita të rimarrim prapë këtë shembull dhe të themi se kemi kauzën e drejtë dhe do shporrim të keqen. Ne do e rikthejmë Shqipërinë në binarët e zhvillimit europian dhe alternativa e PD, është alternativë europiane”, deklaroi Lulzim Basha.
Kreu i PD, tha se institucionet i ka kapur krimi, dhe nuk ka më mjete për të zgjidhur krizën politike, duke shtuar se koha e fjalëve ka mbaruar duke iu bërë thirrje “Ka ardhur koha të merrni në duar fatet tuaja”.
Lulzim Basha bëri thirrje për bashkim në protestën e 16 shkurtit, për ti dhënë zgjidhje siç tha ai situatës në vend, nëpërmjet një qeveria kalimtare, për liri, punësim dhe mirëqenie për gjithë shqiptarët.
“Ngrihuni të gjithë në këmbë dhe marshoni drejt Tiranës, me shpirtin e bashkuar të krutanëve”, deklaroi ndër të tjera Lulzim Basha.
/a.rada