Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi i ftuar në emisionin “Byro Politike”, në TV ABC News, ka shprehur rezervat e tij, për marrveshjen e 17 Majit të vitit 2017, mes Ramës dhe Bashës. Deputeti i opozitës është shprehur se ajo marrveshje ishte një gabim i rëndë nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
“Ka qenë një zgjedhje e gabuar ajo që bëri zoti Basha. Gaboi ai, është përgjegjësia e tij, i takon atij ta mbaj mbi supe,”- është shprehur kryetari i LZHK-së.
Ndër të tjera Shehi, ka shtuar se qeveria e cila u krijua pas marrëveshjes së 17 Majit, nuk pati benefite dhe nuk solli asgjë për zgjedhjet, ishin sërish të kapura.
“Ne nuk duam një marrveshje të tillë si ajo e 17 Majit, mes Ramës dhe Bashës. Ne synojmë rrëzimin e Ramës dhe një qeveri tranzitore që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme,”- është shprehur Dashamir Shehi.
Kreu i LZHK shtoi se Basha bëri gabim dhe beson se e ka kuptuar. Shehi, ka treguar konkretisht çfarë do të bëhet në protestën e 16 Shkurtit dhe çfarë synohet të arrihet me protestën e 16 shkurtit.
Shehi, është shprehur se për këtë protestë duhet një përgatitje e veçantë për idenë, pse duhet të vijnë qytetarët, çfarë duhet të bëjnë, çfarë duhet të kërkojnë dhe si duhet finalizuar.
“Ne nuk po rrëzojmë Edi Ramën, për të vënë Lulzim Bashën, nuk po bëjmë pazar. Ne po kërkojmë të rrëzojmë Ramën për të bërë një qeveri tranzitore, një qeveri e cila do të vendosë rregulla për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Nga ata 40 oligarkë që janë, të paktën të largojmë 20, që të mos u vënë njerëzve pistoletën te koka kur votojnë, të mos japin para për të blerë votat,”– është shprehur Dashamir Shehi.
Deputeti Shehi, është shprehur se protesta e 16 Shkurtit, synon të krijojë një linjë të re që populli të votojë i lirë.
“Ne nuk duam të marrim pushtetin në tavolinë. Duam të rrëzojmë Edi Ramën për të krijuar një qeveri tranzitore, të largojmë krimin nga politika, të largojmë korrupsionin nga politika, të përgatisim zgjedhjet me një ligj ndryshe nga ky i sotmi, pastaj të dalim në zgjedhje dhe nëse do populli le të votojë sërish Edi Ramën,”– është shprehur Dashamir Shehi.
/a.meta