Roli i Rusisë në demontimin e demokracisë amerikane: ajo që ne po vëzhgojmë nuk përshkruhet më si përmbysja e demokracisë amerikane nga një fuqi armiqësore. Në vend të kësaj, është një përpjekje për kapjen e shtetit nga një sindikatë kriminale ndërkombëtare.
Respekti i Donald Trumpit ndaj Vladimir Putinit dhe perceptimi i gjerë i publikut për ndikimin e Putinit mbi Trumpin, kanë ngritur reputacionin e Putinit përtej asaj që unë dyshoj se mund të kenë qenë ëndrrat e tij më të çmendura.
Dy vitet e gjysmë të kaluara kanë qenë të çuditshme. Nga akuzat e para, në korrik 2016, për ndërhyrjen e Rusisë në fushatën zgjedhore të SHBA-së, deri te arrestimi i ish-këshilltarit të presidentit Donald Trump, Roger Stone, javën e kaluar, shumë prej nesh që shkruajnë për Rusinë në mënyrë profesionale ose që janë rusë, kanë luftuar për të përmbledhur atë që dimë me ngjarjen në zhvillim. Në këtë histori, Rusia zhvilloi një operacion të sofistikuar dhe të guximshëm për të përmbysur zgjedhjet amerikane dhe për të instaluar një president të zgjedhur prej saj – duke realizuar një grusht shteti. Po ia treguat këtë liberalit tuaj mesatar amerikan, ju do të merrni një tundje koke të aprovimit. Po ia treguat këtë liberalit tuaj mesatar rus (pothuajse një kategori shumë më e vogël), ju do të merrni qeshje të zhurmshme. Rusët mendojnë se shtetit të tyre i mungon kompetenca për të realizuar një përpjekje të sofistikuar të sabotazhit, se Kremlini ishte edhe më i befasuar nga zgjedhja e Trumpit se sa vetë kandidati, dhe se marrëdhëniet ruso-amerikane janë më disfunksionale që nga koha e Luftës së Ftohtë. Ende aktakuzat vazhdojnë të vijnë.
Lexues, mendoj se, më në fund, e kam kuptuar atë. Unë nuk dua të them se kam kuptuar nëse rusët kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve amerikane – dyshoj se edhe hetimi nga ana i Robert Mueller do të jetë në gjendje t’i përgjigjet kësaj pyetjeje. Dua të them se unë e kam kuptuar se si të mendoj për atë që dimë dhe të mos bëhemi si të çmendur. Përgjigja qëndron në konceptin e shtetit mafioz.
Ndërsa gazetarët që zakonisht mbulojnë politikën amerikane kanë lidhur pikat e historisë së ndërhyrjes ruse, ne që shkruajmë normalisht për Rusinë, jemi strukur. Fillimisht, ishte e zakonshme të theksonim se Paul Manafort, ish-menaxher i fushatës së Trumpit, i cili tani është nën arrest, ka punuar për Viktor Janukoviqin, i cili shpesh karakterizohet si «presidenti pro-rus i Ukrainës». Në të vërtetë, nuk kishte dashuri të humbur mes Vladimir Putinit dhe Viktor Janukoviqit. Pasi u largua nga qyteti, gjatë revolucionit ukrainas të vitit 2014, Janukoviqi kërkoi strehim në Rusi, por gjatë mandatit të tij si president, ai ishte një partner jo i besueshëm për Putinin. Ndoshta më shumë në këtë pikë, ai është një mashtrues dhe një kriminel. Ai qëndroi në burg një kohë për plaçkitje dhe sulme përpara se të bëhej politikan, dhe ai kërkohet nga Ukraina për tradhti, vrasje masive dhe përvetësim. Një vizitor në Ukrainë mund të bëjë një turne në pallatin e Janukoviqit, i famshëm për mermer, kristal, shkallë gjigande, dhe një skulpturë të ngurtë prej ari të madhësisë së një copë buke. Manafort bëri një karrierë duke punuar për të korruptuarit dhe të pandershmit. Kjo në vetvete na tregon pak për Rusinë apo rolin e saj në fushatën e vitit 2016.
Ne u mbuluam nga titujt që pretendonin se kishin krijuar një lidhje mes Kremlinit dhe Natalia Veselnickaja, avokate që ishte në takimin në «Trump Tower» me Donald Trump, Jr, Jared Kushner dhe Manafort. Veselnickaja përfaqëson një kompani ruse, «Prevezon Holdings Ltd», e cila u hetua në New York për pastrimin e parave dhe Veselnickaja është akuzuar se i ka gënjyer prokurorët lidhur me marrëdhënien e saj të punës me zyrën e prokurorit të përgjithshëm rus. Prokurorët federalë në rrethin jugor të New Yorkut pohojnë se Veselnickaja bashkëpunoi me një jurist në prokurorinë ruse për të hartuar dokumente shfajësuese për «Prevezon». Në mbulimin mediatik, shkëmbimi i e-mailave nga ana e saj me një jurist në prokurorinë ruse u përshkrua si dëshmi e një linje direkte me Putinin, duke sugjeruar se ajo u takua me zyrtarët e fushatës së Trumpit si emisarja e Putinit. Nga të gjitha dëshmitë në dispozicion, dhe në kundërshtim me arsyetimet nga ana e saj, Veselnickaja nuk kishte mundur të gjejë diçka komprometuese për Hillary Clintonin. Për aq sa Veselnickaja kishte vendosur lidhje me zyrtarë rusë të nivelit të lartë, ato qenë të nevojshme për një avokat që të jetë efektiv në një sistem të korruptuar.
Ne qemë të shqetësuar nga karakterizimi i fushatës ruse të ndikimit në internet si «të sofistikuar» dhe «të gjerë»: Nga ana tjetër, raportimi rus mbi këtë çështje – më i miri që ishte në dispozicion – në mënyrë bindëse e përshkroi veprimtarinë trilluese si të bezdisshme dhe qesharake. Ky ishte, me sa duket, mashtrim në çdo mënyrë të imagjinueshme, sepse u kryen mashtrime në rrjetet shoqërore amerikane, duke krijuar llogari dhe ngjarje të rreme dhe përhapje të gënjeshtrave, por ishte gjithashtu mashtrim në marrëdhëniet e saj me këdo që e financonte, sepse me siguri që fotot e dizajnuara në mënyrë të pandërprerë e përshkruanin Hillary Clintonin si djallin që nuk mund t’i mbrojë vlerat e askujt.
Ajo që ne po vëzhgojmë nuk përshkruhet më si përmbysja e demokracisë amerikane nga një fuqi armiqësore. Në vend të kësaj, është një përpjekje për kapjen e shtetit nga një sindikatë kriminale ndërkombëtare. Ajo që bashkon Janukoviqin, Veselnickajan, Manafortin, Stone, WikiLeaksin e Julian Assange, fabrikën ruse të trillimeve, stafin e fushatës së Trumpit, George Papadopoulos dhe partnerët e tij në krim, «Profesorin» (kredencialet akademike të të cilit janë të dyshimta) dhe «shtetasja e Rusisë» (që duket se paraqitet rrejshëm si mbesa e Putinit) është se ata janë të gjithë mashtrues dhe kriminelë. Ky nuk është një vlerësim moral, ose një përpjekje për të minimizuar rëndësinë e tyre. Është një përpjekje për të mos folur sa i përket shteteve dhe gjeopolitikës dhe të fillohet të shikohen mafiat dhe fitimet.
Sociologu hungarez Bálint Magyar, i cili krijoi konceptin e «shtetit postkomunist mafioz» sapo ka përfunduar redaktimin e një koleksioni të ri të artikujve të quajtur «Struktura kokëfortë: Rikonceptualizimi i regjimeve postkomuniste» (që do të botohen nga «CEU Press» në fillim të këtij viti). Në një nga veprat e tij më të mira në koleksion, duke përdorur Rusinë si një shembull, Magyar përshkruan shtetin mafioz si një vend të drejtuar nga një «patron» dhe nga «gjykata» e tij – thënë ndryshe: shefi dhe klani i tij – që i përshtatin burimet publike dhe institucionet e shtetit për përdorim privat dhe fitim. Kur bisedova me Magyar në telefon para pak ditësh, ai më tha se Trump është «si një bos mafioz pa mafi. Trump nuk mund të transformojë Shtetet e Bashkuara në një shtet mafioz, natyrisht, por ai ende vepron si një bos i mafias». Putini, nga ana tjetër, «është një bos mafioz me një mafi të vërtetë, e cila ka kthyer gjithë shtetin në një shtet kriminel». Megjithatë, tha ai, «sjellja në krye të shtetit është e njëjtë».
Shteti mafioz është efikas në mënyrën e vet. Nuk i merr të gjitha institucionet shtetërore, por i thith vetëm ato të nevojshmet për nxjerrjen e fitimit. Prandaj disa struktura vazhdojnë të punojnë sikur të ishin pjesë e një shteti normal. Kjo mund të shpjegojë përse kemi parë establishmentin zyrtar të politikës së jashtme ruse duke u përgatitur, në prag të zgjedhjeve të vitit 2016, për një marrëdhënie të supozuar pune me administratën e Hillary Clinton.
Kur mendojmë për një shtet normal, Magyar thotë, «supozimi është se shteti vepron në interesin publik dhe nëse kjo nuk ndodh, ky është një devijim». Kjo është e vërtetë se si ne mendojmë për demokracitë, por gjithashtu, në një masë të madhe, se si mendojmë edhe për diktaturat: diktatori e pozicionon veten si arbitër dhe përfaqësues të vetëm të interesit kombëtar. Një shtet mafioz, nga ana tjetër, vepron vetëm për interesat personale fitimprurëse të klanit.
Kur mediet amerikane mbulojnë historinë e përzierjes së Rusisë, ato në mënyrë implicite përshkruajnë Rusinë si shtet normal dhe veprimin e ndikimit si një ndërmarrje të shtetit që synon avancimin e interesave kombëtare të Rusisë. Kjo i godet rusët në mënyrë absurde. Nëse përcaktojmë interesin kombëtar, presidenca Trump ka qenë zhgënjyese për Rusinë. Shumica e asaj që Trump i ka dhënë shtetit rus ka ardhur përmes mosveprimit: ai mezi reagoi ndaj agresionit të vazhdueshëm rus në Ukrainë; ai nuk ka arritur të mbështesë NATO-n; dhe ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga Siria, edhe pse duket sikur tërheqja nuk ka gjasa të jetë e shpejtë apo e plotë. Në të njëjtën kohë, marrëdhëniet diplomatike midis Rusisë dhe SHBA-së janë keqësuar deri në pikën e mosfunksionimit pothuajse totale.
Nga metrika e një shteti mafioz, megjithatë, presidenca Trump ka dhënë rezultate të mëdha për Rusinë. Një bos i mafias dëshiron respektin, besnikërinë dhe fuqinë e perceptuar. Respekti i Trumpit ndaj Putinit dhe perceptimi i gjerë i publikut për ndikimin e Putinit mbi Trumpin, kanë ngritur reputacionin e Putinit përtej asaj që unë dyshoj se mund të kenë qenë ëndrrat e tij më të çmendura. Siç ndodh në një shtet mafioz, shumica e përfitimeve i takojnë patronit personalisht. Por disa nga përfitimet shkojnë për klanin. Gjatë javës që shkoi u bë e ditur se Departamenti i Tatimeve ka hequr sanksionet ndaj kompanive që i përkasin Oleg Deripaskas, një anëtar i «gjykatës» së Putinit, i cili dikur i huazoi miliona dollarë Manafortit. Nëse një ekip fundërrinash të punësuara ose të lidhura në mënyra të tjera me shtetin mafioz rus përpiqej të ndihmonte një ekip të ngjashëm të mashtruesve dhe hajdutëve për të zgjedhur Trumpin, që me sa duket ashtu bënë, atëherë lajmi për Deripaskan ndihmon në shpjegimin e motiveve të tyre. Historia nuk është se Putini po krijon një sulm të madh dhe të shkëlqyer ndaj demokracisë perëndimore. Historia, me sa duket, është se shteti mafioz rus po kultivon marrëdhënie fitimprurëse me bosin që synon mafinë e SHBA-së dhe grupin e tij të kriminelëve, duke përmbysur institucionet demokratike në proces.
*Masha Gessen është gazetare e revistës së famshme amerikane «The New Yorker». Është autore e dhjetë librave, mes tyre edhe një biografi e Vladimir Putinit.