Presidenti venezuelian, Nicolás Maduro, ka thënë se nuk përjashton mundësinë që vendi të shkojë në luftë civile, pas presionit ndërkombëtar që po ushtrohet ndaj tij për tu larguar.
Në një intervistë televizive, ai paralajmëroi se Presidenti i SHBA Donald Trump do të largohej nga Shtëpia e Bardhë “i ngjyrosur me gjak” nëse do të ndërhyjë në krizë.
Ai gjithashtu kundërshtoi me vendosmëri afatin e lënë nga Bashkimi Europian për thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Udhëheqësi i opozitës Juan Guaidó u shpall president i përkohshëm muajin e kaluar dhe fitoi mbështetjen e SHBA.
Ai tha të dielën se do të ndërtojë një koalicion ndërkombëtar për të ofruar ndihmë humanitare për venezuelianët, por Maduro e ka akuzuar atë për organizimin e një grushti shteti.
Në intervistën për televizionin spanjoll në programin Salvados transmetuar të dielën, Maduro u pyet nëse kriza në Venezuelë mund të rezultojë në luftë civile.
“Sot askush nuk mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje me siguri,” tha ai.
“Gjithçka varet nga niveli i çmendurisë dhe agresivitetit të perandorisë veriore (SHBA) dhe aleatëve të saj perëndimorë.
“Ne kërkojmë që askush të mos ndërhyjë në punët tona të brendshme … dhe po përgatitemi për të mbrojtur vendin tonë.”
Presidenti Trump i ka thënë transmetuesit amerikan CBS se përdorimi i forcës ushtarake mbetet “një opsion”.
Por Maduro paralajmëroi udhëheqësin e SHBA-së se ai rrezikon një përsëritje të Luftës së Vietnamit nëse ndërhyn.
“Stop, Stop, Donald Trump, po bëni gabime që do të lyejnë duart tuaja me gjak dhe do të largoheni nga presidenca i lyer me gjak”, tha ai.
“Le të respektojmë njëri-tjetrin, apo doni të përsërisni një Vietnam në Amerikën Latine?”
Të dielën skadoi afati i lënë nga disa vende evropiane, duke përfshirë Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë dhe Spanjën, që Maduro të thirrte zgjedhjet e parakohshme presidenciale.
Ata thanë se do ta njihnin Z. Guaido si president të përkohshëm nëse nuk do të kishte një zotim të tillë.
Por Maduro u përgjigj: “Ne nuk pranojmë ultimatume nga askush. Është sikur t’i thoja Bashkimit Evropian:” Unë ju jap shtatë ditë për të njohur Republikën e Katalonjës dhe nëse jo, ne do të marrim masa ‘.
“Jo, politika ndërkombëtare nuk mund të bazohet në ultimatume. Kjo ishte epoka e perandorive dhe kolonive”.