Artan Muhaxhiri, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se situata e krijuar në koalicionin qeverisës, nuk mund të zgjatë.“Kriza e madhe politike, në të cilën gjendet Kosova, nuk mund të vazhdojë për një kohë të gjatë. Pra, nevojitet një zgjidhje e shpejtë, e cila mund të bëhet vetëm në dy mënyra”, ka thënë Muhaxhirri.
Sipas tij, ose kryeministri Haradinaj të heqë dorë nga taksa prej 100 për qind, ta pezullojë atë ose që të kemi një rikonfigurim të plotë të Qeverisë, një ndryshim të kryeministrit dhe një përfshirje të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Qeveri.“Pra, vetëm këto dy mundësi janë aktualisht realiste”, tha Muhaxhiri.Se rikonfigurimi i Qeverisë mund të jetë një opsion i mundshëm për të dalë nga situata e krijuar brenda koalicionit qeverisës, tashmë ekzistojnë sinjale që janë dërguar nga partitë politike, të pushtetit dhe opozitës, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.
Analisti Muhaxhiri thekson se kryetari i LDK-së, Isa Mustafa e ka përmendur më parë opsionin e përfshirjes së partisë së tij në një Qeveri gjithëpërfshirëse, e cila do të ishte e rikonfiguruar dhe e ndryshuar krejtësisht.
“Është e pritshme që edhe me një presion të madh amerikan dhe nga BE-ja, LDK-ja të përfshihet në këtë moment në një Qeveri gjithpërfshirëse, sepse opsioni i zgjedhjeve të reja nuk është aq real, pasi që merr shumë kohë dhe nuk ka asnjë garanci që pas zgjedhjeve mund të kemi një Qeveri stabile, që do të formohej me shpejtësi”, u shpreh Muhaxhiri. Radio Evropa e Lirë. (b.an)