Nga Marc Santora*
Gjëja e fundit që Borko Stefanoviç kujton janë tre burra që qëndronin në hije.
“Ata dolën nga errësira dhe më goditën në kokë me doreza hekuri”, tha z. Stefanoviç, një politikan i opozitës serbe. Koka e tij u ça, duke ia bërë këmishën qull në gjak. Ai humbi vetëdijen.
Në Serbi, një vend me një histori të gjatë të dhunës politike, zoti Stefanoviç menjëherë dyshoi se rrahja në fund të nëntorit kishte për qëllim të dërgonte një mesazh: Mjaft fole për lidhjen midis rrjeteve kriminale dhe udhëheqësve politikë.
Nëqoftëse është kështu, nuk funksionoi.
Protestuesit u kapën pas sulmit dhe kanë dalë në rrugë çdo javë që nga fillimi i dhjetorit në numra gjithnjë në rritje – tani me dhjetëra mijëra – për të sfiduar presidentin Aleksandar Vuçiç dhe Partinë e tij Progresiste Serbe.
“Jo më këmisha të përgjakura” është thirrja e tyre protestuese.
Zgjerimi i protestave, të cilat tani janë përhapur në qytete përtej Beogradit, kryeqytetit, po rezultojnë të jenë një moment i rëndësishëm për qeverinë e Vuçiçit, pasi Serbia është duke u tërhequr mes besnikërisë së saj tradicionale ndaj Rusisë dhe dëshirës së saj për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian.
Demonstratat kanë hedhur një dritë të ashpër mbi zotin Vuçiç dhe mbi faktin nëse ai është i përgatitur të pranojë parimet demokratike perëndimore që tashmë janë duke u vënë në provë nga anëtarët e rinj të Bashkimit Evropian, si Hungaria dhe Polonia. Kundërshtarët e tij thonë se ai po ndjek modelin e autoritarianizmit të lehtë të veshur me kapjen e demokracisë që është bërë i zakonshëm në Turqi dhe Rusi, midis vendeve të tjera.
Z. Vuçiç e nisi karrierën e tij si ultranacionalist gjatë luftërave të përgjakshme që tronditën Ballkanin në vitet 1990. Ai shërbeu si ministër i informacionit nën Presidentin Sllobodan Millosheviç derisa udhëheqësi u rrëzua në vitin 2000.
Në vitet pas përfundimit të luftimeve, zoti Vuçiç ka kërkuar të ndryshojë imazhin e tij, duke ndihmuar në formimin e një partie të moderuar në vitin 2008. Ai mori një fitore të bindshme në zgjedhjet presidenciale të vitit 2017 dhe e ka ndërtuar mbështetjen ndaj tij kryesisht mbi premtimin për riparimin e ekonomisë shtetërore dhe futjen e Serbisë në rrugën për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian.
Sot, Partia Progresiste Serbe i kontrollon të gjitha komunat e vendit përveç tre prej tyre. Z. Vuçiç e ka përdorur këtë dominim, thonë kritikët e tij, për të marrë levat e shtetit – mediat e lajmeve, zbatimin e ligjit dhe gjykatat – dhe për t’i kthyer ato kundër kundërshtarëve të tij.
Ndër ata që ngrenë shqetësime është Nebojsa Zelenoviç, kryebashkiaku i Sabacit, një nga tre vendet që nuk janë të kontrolluara nga partia qeverisëse. Në nëntor, ai shkoi në Strasburg, Francë, për të dëshmuar përpara Këshillit të Evropës mbi atë që ai e quajti një shpërthim abuzimi.
“Hetuesit e policisë, zyrtarët e taksave, tabloidet proqeveritare po ndjekin penalisht vetëm ata që konsiderohen si jo-besnikë ndaj qeverisë qendrore, pavarësisht nga ligji dhe vullneti i qytetarëve që votuan për ne në nivel lokal”, akuzoi ai.
Pasi mbajti atë fjalim, tha z. Zelenoviç, ai u akuzua për vjedhjen e miliona dollarëve të parave publike. Ai u shpall i pafajshëm, por gjyqtarja që e trajtoi çështjen u gjet menjëherë nën sulm.
“Poshtë asaj sipërfaqeje evropiane, Vuçiç është një diktator”, tha z. Zelenoviç në një intervistë.
Z. Vuçiç u ul për një intervistë me The New York Times në pallatin presidencial mbrëmjen pasi mbajti një pritje shtetërore luksoze për Presidentin Vladimir V. Putin të Rusisë, me 100,000 njerëz të sjellë në Beograd për ta mirëpritur atë.
Ai i hodhi poshtë kritikat e drejtuara ndaj tij. “Mendoj se ne i përkasim një shoqërie shumë demokratike,” tha ai me qetësinë që e karakterizon.
Ai dhe mbështetësit e tij thonë se demonstratat e para ishin kapur nga rivalët politikë dhe forcat e jashtme që nuk duan që Serbia t’i afrohet Perëndimit.
Por protestat e kohëve të fundit duket se kanë filluar në mënyrë organike dhe vetëm janë rritur. Ato tani janë gjallëruar nga një numër i madh ankesash, veçanërisht në mesin e të rinjve që kërkojnë më pak kontroll të qeverisë mbi mediat, më shumë masa mbrojtëse për të siguruar që zgjedhjet të jenë të lira nga kanosjet, mundësi më të mëdha ekonomike dhe më pak korrupsion.
Jelena Anasonoviç, 24 vjeç, është shumë e re për të kujtuar luftën. Ajo nuk është politikane dhe nuk ka një plan për çështjen e Kosovës, e cila u shkëput nga Serbia në vitet 1990. E vetmja gjë që ajo di është se i ka ardhur në majë të hundës.
“Prindërit dhe gjyshërit tanë na thonë: Mos u përfshini”, tha ajo. “Nëna ime tha se ata do të shkatërrojnë jetën tuaj dhe të ardhmen tuaj”, shtoi ajo, duke iu referuar partisë qeverisëse.
Por pasi z. Stefanoviç u sulmua, ajo iu bashkua një grupi studentësh dhe në fillim të dhjetorit ndihmoi në organizimin e marshimit të parë javor. Ajo mendonte se do të dilnin 7,000 njerëz; dy herë më shumë sesa aq dolën.
Z. Vuçiç, duke folur me mbështetësit e tij pas protestës së parë, u tregua përçmues. “Edhe nëse do ishin pesë milionë njerëz në rrugë,” tha ai, ai nuk do t’u përkulej kërkesave të tyre.
Komenti i tij u shpërnda gjerësisht në mediat sociale dhe protestuesit filluan të mbanin spila dhe të mbanin pankarta që shkruanin “Një në pesë milionë”. Në janar, dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në demonstrata.
Z. Vuçiç tha për The Times se ai nuk pendohej për komentin, por tha se ishte nxjerrë jashtë kontekstit. “Po thosha se gjithmonë do t’i dëgjoj njerëzit, por kurrë nuk do t’i dëgjoj ata politikanë që shkatërruan vendin”, tha ai.
Por opozita nuk është e vetme në ngritjen e shqetësimeve për vendin.
Në një vlerësim të zgjedhjeve presidenciale të prillit 2017, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë tha se “mbulimi i njëanshëm nga mediat, një avantazh i papërshtatshëm i mbajtjes së postit dhe një dallim i paqartë ndërmjet fushatës dhe veprimtarive zyrtare, dëmtuan fushën e barabartë për garuesit”.
Dhe një raport i vitit 2017 nga Transparency Serbia dhe Qendra për Gazetari Investigative, Serbi, përshkruan mënyrat se si ushtrohet kontrolli politik mbi forcat e sigurisë dhe se si është dëmtuar sundimi i ligjit.
“Për shembull, policia ka ushtruar presion mbi krerët e organeve të pavarura, opozitën dhe njerëzit që kanë kritikuar autoritetet,” thuhet në raportin 91 faqësh.
Z. Stefanoviç thotë se ai me shumë gjasa është sulmuar për shkak se kishte folur publikisht për lidhjet e mundshme midis bosëve të partisë dhe rrjeteve kriminale, dhe atë që ai e sheh si përdorim të korruptuar të parave të shtetit dhe dhënien e kontratave shtetërore.
Zoti Vuçiç tha se mund të hidhte poshtë çdo kritikë dhe vuri në dukje se si qeveria e tij e trajtoi rrahjen e zotit Stefanoviç. “Ne i arrestuam menjëherë të tre djemtë që e sulmuan atë”, tha ai. “Unë i dënova, në mënyrën më serioze dhe më të përgjegjshme, ata djem.”
Për protestat në rritje në rrugë, presidenti fajëson Kosovën dhe planin e tij të guximshëm – disa thonë të rrezikshëm – për një shkëmbim territoresh për të zgjidhur mosmarrëveshjen me rajonin kryesisht mysliman dhe etnik shqiptar.
Ai vuri në pah se ai ishte akuzuar se ka tradhtuar atdheun, se ka “prishur integritetin tonë territorial”.
Megjithatë, zoti Vuçiç është zotuar të vazhdojë përpara me negociatat mbi Kosovën. “Serbët do të thonë se janë ngopur nga poshtërimi,” tha ai. “Nëse do të arrijmë një zgjidhje kompromisi, kjo do të thotë që si shqiptarët dhe serbët do të duhet të jenë barabar të pakënaqur”.
Por për protestuesit e rinj si znj. Anasonoviç, ndjenja e poshtërimit nuk vjen nga Kosova, por nga jeta e përditshme.
“Përballemi përditë me kaq shumë gënjeshtra dhe kërcënime,” tha ajo. Për shkak se ka ngritur zërin, thotë ajo, ajo është quajtur tradhtare. “Në shekullin e 21-të, nuk mund të durojmë edhe një ditë tjetër duke jetuar kështu.”
The New York Times– Përgatiti për TemA Javore: Kebriona Veliaj