Skënderbeu do të luajë në Fushë-Krujë kundër Kastriotit prej orës 14.00, por sfida është tensionuar më shumë se një orë para saj, për shkak të dhunës së tifozëve vendas, sipas asaj që pretendon klubi korçar.
Autobusi i Skënderbeut ka mbërritur në stadiumin “Redi Maloku” 90 minuta para fillimit të ndeshjes dhe aty normalisht duhej të ishte policia për ta pritur, por ka qenë “shkretëtirë”.
Skënderbeu akuzon për organizimin skandaloz të ndeshjes, sepse sipas drejtuesve korçarë, persona të ndryshëm ishin brenda stadiumit dhe kanë goditur e dhunuar disa lojtarë.
Bëhet fjalë për Oto John, Kristi Vangjeli dhe Idriz Toskiç, të cilët janë përballur me një situatë të pazakontë dhe të harruar në stadiumet shqiptare.
Pritet reagim nga Kastrioti dhe nga Federata Shqiptare e Futbollit.