Shqipëria ka fituar plot 13 pozicione në indeksin e lirisë ekonomike të Fondacionit Heritage për vitin 2019. Ky indeks është një ndër më prestigjiozët në drejtim të lirisë ekonomike dhe merr në analizë 180 vende të botës. Vendi ynë renditet krah vendeve që kanë një liri ekonomike të moderuar, me një pikëzim në 66.5 pikë.
Performanca mjaft mirë e Shqipërisë nënvizohet edhe në raport, ku veçohet si një prej vendeve më të spikatura. Kështu, Shqipëria është ngjitur në vendin e 52-të, nga vendi i 65-të i vitit të kaluar. “Për të promovuar kandidaturën në Bashkimin Europian, Shqipëria ka bërë progres drejt një sistemi më të hapur dhe më fleksibël ekonomik.
Progresi në rritjen e të ardhurave dhe reduktimin e varfërisë ka qenë i konsiderueshëm. Regjimi tregtar i konkurrueshëm ka marrë mbështetje nga korniza rregullatore efiçente që ka inkurajuar rritjen e sipërmarrjes.
Për të mbështetur këtë progres, qeveria ka ndërmend të aplikojë reforma të tjera duke garantuar zhvillimin ekonomik”-shkruhet në raportin e Fondacionit Heritage. Në profilin dedikuar vendit tonë ndërkohë, thuhet se procedurat për të hapur një biznes janë bërë më pak të shtrenjta.
Në renditjen e përgjithshme Shqipëria lë pas vende si Bosnje Hercegovina, Serbia apo Mali i Zi, si dhe vende shumë më të zhvilluara si Franca apo Italia, sa për të përmendur disa prej tyre. Maqedonia ndërkohë është vendi me lirinë ekonomike më të lartë në rajon, ndërsa Kosova është e dyta.
Sa i përket nën-indikatorëve, rezultatin më të dobët, Shqipëria e regjistron në drejtim të gjyqësorit, ndërsa më të mirën në drejtim të lirisë së tregtisë si dhe barrën e taksave. Në nivel global, në vend të parë renditet Hong Kong-u./ SCAN
/a.meta