Autoriteti Rrugor Shqiptar ka kualifikuar të gjitha ofertat e paraqitura për rehabilitimin e segmentit rrugor, mbikalimi Pallati me Shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja, Loti 1.
Drejtoresha e ARRSH-së, Sonila Qato ka deklaruar sot se asnjëra nga kompanitë nuk është paraqitur me dokumentacion të përputhur me kriteret e vendosura nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Për këtë, ka thënë Qato, “Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, u ka komunikuar kompanive në rrugë elektronike, vendimin për skualifikimin e ofertave të paraqitura, për mospërputhje me kriteret e përcaktuara në dokumentet e garës”.
“Procesi do të vazhdojë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe e ritheksoj, realizimi i këtij projekti, mbetet prioritar për kryeqytetin, por edhe për infrastrukturën tonë kombëtare në tërësi”, është shprehur Qato.
Qato, është shprehur se po sot do t’i përcjellë ministres Balluku një raport mbi këtë proces.
“Ligjshmëria dhe transparenca e procedurave vjen gjithnjë e para, për të garantuar që çdo vepër e ndërtuar me fondet publike, të jetë rezultat i konkurrencës së ndershme mes kompanive, si edhe frut i punës së një kompanie fituese që duhet të ketë dokumentacion të përputhur 100% me rregullat e garës”, ka nënvizuar Qato.
Qato është shprehur se, “kompanitë janë partneret e ARRSH dhe dialogu e transparenca me çdonjërën prej tyre do të jetë një përmasë e palëvizshme e marrëdhënies së Autoritetit Rrugor Shqiptar me to”.
/a.rada