Ish-polici Arben Bilali, i ekzekutuar me armë zjarri këtë të mërkurë vjen nga një e shkuar plot atentate dhe përpjekje për atentate.
Pikërisht e shkuara e familjes së ish-policit të vrarë mund të ketë çuar në atentatin e sotëm ndaj tij. Fillimisht ka ndodhur një tentativë për atentat ndaj Arben Bilalit, në maj të viti 2010, pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, por ish-polici i shpëtoi mrekullisht sulmit me armë.
Më pas seria e sulmeve ndaj familjes Bilali vazhdoi më 10 gusht të 2010-s, kur ish-policit i vranë të vëllain, ish-mundësin e ekipit të “Dinamos”, Leonard Bilali.
Vëllai i viktimës së ditës së sotme sapo ishte kthyer nga Italia, ku qëndronte si emigrant, kur u qëllua me 4 plumba pistolete, teksa ishte ulur në një nga lokalet në rrugën “Irfan Tomini” në kryeqytet. Leonard Bilali u transportua asokohe me shpejtësi në spital, por ndërroi jetë si pasojë e plagëve që kishte në trup dhe në kokë.
Policia i përqëndroi atëherë hetimet në pistën e hakmarrjes, ose një sherri të çastit në lokalin ku ai ndodhej. Vëllai i ish-efektivit të policisë kishte pasur konflikt fizik me një person, vetëm një ditë pasi ishte kthyer nga Italia, në muajin korrik të 2010-s.
Por, policia asokohe hetoi edhe problemet e konfliktet e Arben Bilalit, i cili ka qenë ish-oficer i Forcave të Rendit. Policia kishte dyshime se, pas dështimit të atentatit ndaj tij, në lidhje me këtë ngjarje të vjetër mund të jetë ekzekutuar vëllai 27-vjeçar i ish-oficerit.
Leonard Bilali, afërsisht një muaj para ekzekutimit kishte qëndruar në vilën e familjes së tij në zonën e Selitës, ndërkohë që sipas fqinjëve shihej darkave nëpër lokalet që ndodhen në zonën e quajtur “stacioni i parafundit i Tiranës së Re”.
a.cupaj