“Italia meriton më shumë sesa kaq”. Presidenti francez, Emmanuel Macron iu është përgjigjur me të njëjtën monedhë kritikave të dy zëvendëskryeministrave italianë, Matteo Salvini dhe Luigi di Maio, ndaj presidencës së tij.
Për shefin e “Elizesë”, lufta e ashpër e fjalëve mes Parisit dhe Romës mjafton për të provuar se populli italian meriton të ketë udhëheqës më të mirë, të cilët ta justifikojnë mundësinë që iu ka dhënë historia.
I vetmi drejtues në Itali, që mund të konsiderohet i denjë – sipas Macronit, – është kryeministri Giuseppe Conte.Presidenti francez nuk ia kurseu sarkazmën koalicionit qeveritar italian, kur i uroi fat në luftën e hapur me të dhe Francën, e më pas u përpoq ta minimizonte rëndësinë që kanë këto fërkime për vendin e tij.
Javën e kaluar, dy vendet u përfshinë në një situatë të tensionuar, pasojë e deklaratave të Di Maios nga “Lëvizja populiste 5 yjet”, sipas të cilit Franca e ka varfëruar Afrikën. Salvini iu bashkua sulmit, duke e cilësuar Macronin “një president të tmerrshëm”, përpara se t’i nxiste votuesit francezë ta tregojnë pakënaqësinë ndaj tij në zgjedhjet europiane të muajit maj, përcjell TCh.
Mendohet se Salvini është duke i ushqyer ndjenjat antiMacron nëpër Europë, në një orvatje për të organizuar një sfidë populiste të krahut të djathtë ndaj qendrës liberale proeuropiane, në zgjedhjet e majit për Parlamentin Europian. (b.an)