Tregtarët e shitjes me pakicë në Britaninë e Madhe i kanë bërë thirrje klasës politike që ta marrë seriozisht procesin e Brexit, pasi një dalje pa marrëveshje nga BE’ja do të sillte pasoja të rënda për tregun vendas. Paralajmërimi është dhënë nga tregtarët britanikë të shitjes me pakicë, të cilët vënë në dukje se mbajtja stok e ushqimit të freskët është e pamundur dhe se Britania është shumë e varur nga BE sa i takon disa produkteve.Paralajmërimi jepet në një letër të Shoqatës Britanike të Shitësve, që mban edhe firmat e kompanive më të njohura britanike të shitjes me pakicë.
“Do të ketë rreziqe serioze sa i takon cilësisë dhe mirëmbajtjes së ushqimit. Ne jemi shumë të shqetësuar se konsumatorët do të jenë ndër të parët që do të përjetojnë realitetin e hidhur të një daljeje pa marrëveshje”, thuhet në letër.
Mesazhi vjen para seancës parlamentare ku ligjvënësit do të diskutojnë disa amendamente të planit të kryeministres Theresa May, të cilat mund t’i japin një formë tjetër daljes nga Unioni Europian.Tregtarët e shitjeve me pakicë nuk ishin përfshirë më parë në debatin për Brexit, por vendosën të ndërhyjnë në një kohë kur data e daljes nga BE, 29 Marsi, po afron.
Ata iu bëjnë thirrje ligjvënësve që të bashkëpunojnë, me qëllim që të gjejnë urgjentisht një zgjidhje që shmang tronditjen që do t’i shkaktonte tregut një dalje pa marrëveshje, përgatiti Express. (b.an)