Vetëm pak muaj larg zgjedhjeve vendore, Partia Socialiste ka nisur selektimin e emrave që pritet tu besojë postin e kryebashkiakut të qytetit të Durrësit. Zërat për mos kandidimin e kryetarit aktual, Vangjush Dako, duket se kanë vënë përpara kohe në lëvizje strukturat e partisë për të mbështetur emra të ndryshëm për pasuesin e tij.
Nga burime të brendshme, emri më i lakuar për të marrë drejtimin e një prej bashkive më të rëndësishme në vend, është ai i nënkryetarit aktual të saj, Arbër Braho, ku prej pesë vitesh mban këtë post.
Arbër Braho është i biri i deputetit socialist Spartak Braho, i cili është ndër themeluesit e Partisë Socialiste.Ndërkohë, flitet edhe për personazhe të tjera në bazën e socialistëve në Durrës, por aktualisht lista kryesohet nga Arbër Braho.
Kujtojmë se ka qenë se fundi Dako, i cili në një intervistë të tij, ka pranuar mundësinë e moskandidimit të tij për një mandat tjetër por mundësinë e angazhimit të tij në ekzekutiv.
Në një prononcim të Braho lidhur me këto zëra për kandidaturën e tij, ai është shprehur se kjo është një dëshirë e tij, por shton se ai ende nuk e ka marrë një ftesë të tillë.
Ai ka shtuar se do të respektojë çdo vendim të strukturave të partisë dhe të kryetarit Edi Rama, qofshin këto edhe për kandidatë të tjerë apo për ripropozimin e Dakos në këtë bashki. (Panorama)