Nga Mero Baze
Lëvizja Socialiste për Intgerim, po përpiqet të dobësojë aleatin e saj kryesor në opozitë, Partinë Demokratike, duke krijuar një mini-koalicion brenda koalicionit me partitë e vogla, kërkesat e të cilëve, Lulzim Basha i la jashtë vemendjes për shkak të pafuqisë së tij për të plotësuar kërkesat e tyre për ndryshimim të Kodit Zgjedhor, si dhe orekseve të tyre për pazare elektorale.
Në prag të zgjedhjeve lokale, Agron Duka i cili drejton një nga partitë e vogla të opozitës, lë të kuptojë se po shikon mundësinë e rreshtimit rreth LSI për të rritur kështu peshën specifike të aleatëve të PD, përballë saj.
Nëse kjo skemë funksionon dhe me partitë e tjera të vogla, Partia Demokratike rrezikon të përgjysmojë pushtetin me aleatët e saj, të cilët duke u bashkuar rreth LSI, rrisin rëndisinë e tyre në koalicion opozitar, pasi pazarin e fundit me PD, e presin në emër të nënkoalicionit të ri.
Dhe ka plot arsye të besueshme, që LSI të shikojë punët e veta në qëndrimin ndaj PD.
E vërteta është se LSI dhe partitë e vogla ndjehen të anashkaluar dhe të përdorur nga PD në aksionin e tyre politik. PD ka synuar të mos ndryshojë Kodin Zgjedhor dhe të mos e hapë atë debat duke e shtyrë pa fund me qëllim që të shmangte pazarin me partitë e vogla.
LSI nga ana e vet është e pasigurtë në lëshimet që PD do t’i bëjë për zgjedhjet, përfshi komisionerët informalë dhe zonat e lira.
Të bashkuar të gjithë përballë Bashës, aleatët opozitarë në një farë mënyre po përpiqen të rrisin peshën e tyre në një moment të vështirë politik për Bashën, kur ai më shumë se kurrë ka nevojë për ta.
Nga ana tjetër LSI dhe partitë e vogla bashkohen me njëra tjetrën në qëndrimin e qartë për hyrjen në zgjedhje.
Partia Demokratike e ka degraduar çështjen e hyrjes në zgjedhje, duke e kthyer në një shantazh të përsëritur që përfundon me pazare në tavolinë nga Basha. Viti 2017 ishte rasti më i qartë, se si Basha përdori aleatët e vegjël dhe LSI-në për t’u ulur në tryezë me Ramën dhe pas tryezës fitoi çdo gjë kundër interesit të tyre, biles dhe me strategji për të eleminuar LSI. Tani LSI po bën të kundërtën, po përdor aleatët e Bashës për t’i bërë Bashës shantazh për pazar para zgjedhjeve.
Duke deklaruar hyrjen në zgjedhje pa e vënë në diskutim si opsion të tyre, LSI dhe partitë e vogla, zhvlerësojnë shantazhin e Lulzim Bashës dhe fitojnë shumë herë më tepër peshë në vendimarrjen e opozitës, duke u bërë atë faktor vendimtar.
Skema duket se është një ide e LSI, të cilën po e mbështet i pari Duka, por mund të pasohet dhe nga të tjerët.
Ideja për ti hequr nga duart Bashës të drejtën për të bërë pazare në emër të opozitës, dhe për ta detyruar të jetë luajalë me ta, është goditja më e fortë që Basha mund t’i japë autoritetit të PD, brenda opozitës, duke e detyruar të bëhet i barabartë me të tjerët.
E gjitha kjo tregon se opozita ka identifikuar Lulzim Bashën si njeri që ka përdorur fuqinë e partive të tjera për të bërë pazare me Ramën. Dhe ti heqësh Lulzim Bashës të drejtën për të bërë pazare në emër të opozitës është më keq se ta shkarkosh. është sikur t’i heqësh identitetin e vetëm politik që ai ka.