Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës si dhe ish-kryenegociatorja e dialogut me Serbinë, Edita Tahiri, ka shprehur qëndrimin e saj kundër emërimit të Gent Cakajt si ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Në studion e “Top Talk” ajo thekson se nuk e ka me Cakajn personalisht, por me përfshirjen e Ramës në ndryshimin e kufijve, të cilën ajo e cilëson si axhendë serbo-ruse.
Më tej ajo thekson se është e rëndësishme që Rama të tërhiqet nga ky qëndrim, e të deklarojë se refuzon ndryshimin e kufijve në Kosovë.
“Presidenti Meta bëri mirë që nuk e delegoi. Pavarësisht se dëgjova se qenka bërë delegimi, kjo në fakt si ngjarje nuk është e rëndësishme. E rëndësishme është se Rama duhet të ndalë këtë qasje dhe të dalë hapur si kryeministër i Shqipërisë kundër ndryshimit të kufijve dhe në mbrojtje të hapur të kufijve dhe qytetarëve të Kosovës. Ky është obligim jo vetëm kombëtar, por edhe Kushtetues. Siç ka bërë Presidenti Meta, Sali Berisha, edhe PD, të qartë që është kundër ndryshimit të kufijve, ashtu duhet ta bëjë edhe Rama. Kur vihen në pikëpyetje interesat kombëtare nuk mund të ketë kalkulime”, tha Edita Tahiri./a.meta