Në ambientin e fakultetit të Drejtësisë ndër studentët që mbajnë të bllokuar ende nisjen e mësimit në mënyrë të rregullt, ka persona të paautorizuar dhe persona që nuk janë fare studentë.
Kështu deklaroi sot dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare pas takimit që Rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni zhvilloi në këtë fakultet pas kërkesës së studentëve të cilët kërkojnë zhbllokimin e situatës dhe fillimin e mësimit.
“Edhe keqkuptimet duhen evituar sepse kemi kaq kohë që po mundohemi orar e pa orar për të bërë të mundur hapjen e objektit, pavarësisht nesh, sepse ne e kishim kërkuar edhe më përpara, i kërkuam Rektorit që të shikonte situatën sesi është. Ajo që mua më shqetëson është fakti që në ambientin e Fakultetit të Drejtësisë janë persona të paautorizuar për të qenë. Përveç studentëve tanë ka edhe student të fakulteteve dhe universiteteve të tjera, ka edhe persona që nuk janë farë student”, deklaroi Dekani.
Ai shpjegoi se në momentin që tentohet të vendoset dialogut me studentët tanë, ky dialog ndërpritet sepse ndërhyn grupi tjetër.
“Kur vihet një dialog me studentët tanë, ndërhyjnë këta të tjerët dhe dialogu ndërpritet”, tha ai.
Hoxha tha se shpreson në dhënien e zgjidhjes për situatën e krijuar, ndërsa shtoi se po diskutohet për gjetjen e alternativave për rifillimin e mësimit në këtë fakultet.
/a.rada