“Prokuroria e Tiranës njoftoi pak ditë më parë se ka nisur hetimet për shkeljen e ligjit nga kryeministri Edi Rama për dhënien e lejes së ndërtimit për një kullë mbrapa presidencës. Nisja e hetimeve erdhi si përgjigje për investigimin televiziv, por është krejt e pamjaftueshme”.
Kështu tha në një dalje për mediat ditën e sotme, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa.
Ajo denoncoi se Tirana është shndërruar në një lavatriçe të madhe parash të pista nga çifti më i korruptuar në Europë, Edi Rama dhe Erion Veliaj dhe se ndërtimi mbrapa Presidencës është vetëm njëra prej godinave të larta, që do të ndërtohet me firmat e çiftit Rama-Veliaj, duke i hapur rrugë pastrimit të parave nga biznesi i bixhozit.
Sipas saj, aktualisht janë në ndërtim edhe kulla prapa Sahatit të Tiranës dhe ajo në zemër ish zonës së ish Bllokut.
Për Zhupën, të treja ndërtimet në zonat më të mira dhe më të shtrenjta të Tiranës i janë dhënë një personi Dajlan Avdia, pronar deri pak kohë më parë i kompanisë më të madhe të bixhozit ‘Apex’.
Ajo tha se të treja kullat do të zënë një sipërfaqe prej 54 mijë metrash katrorë, ose thënë ndryshe sa 6 fusha të mëdha futbolli, të dhëna për një person, që sipas denoncimeve të medias, deklaroi Zhupa, ka lidhje të drejtpërdrejta me vëllanë e Kryeministrit Olsi Rama.
“Edi Rama duhet t’u thotë shqiptarëve çfarë ka të veçantë Dajlan Avdia, i cili nuk ka patur kurrë më parë aktivitet ndërtimi, që i dha brenda pak muajve leje ndërtimi në tre zonat më të shtrenjta të Tiranës, duke shkelur edhe ligjin. Njëra në nëntor 2017 në zemër të Bllokut; Një tjetër në shkurt të këtij viti tek Kulla e Sahatit. Për kullën e tretë leja u dha në muajin qershor, pak pasi klienti i Edi Ramës shiti aksionet e bixhozit. Kjo është kulla që po ndërtohet mbrapa presidencës dhe për të cilën po heton prokuroria”, u shpreh Zhupa.
Ajo deklaroi se kohës së përdorimit të kryeqytetit si lavatriçe e pastrimit të parave të pista nga Edi Rama dhe Erion Veliaj po i vjen fundi, duke ftuar qytetarët që të ngrihen në protestë së bashku me opozitën.
/a.rada