«Jemi një kompani globale që operon në 170 vende të botës. Na duan të gjithë, përveç Shteteve të Bashkuara». Yu Chengdong, Richard për perëndimorët, nuk e kursen ironinë për SHBA-të.
Ai është kreu i degës së Huawei-t, që prodhon smartfonë. Kjo degë e kompanisë me 50 miliardë dollarë të ardhura nga shitjet në vitin 2018, kontribuon për rreth gjysmën e të ardhurave të kompanisë.
Gjysma tjetër vjen nga telekomunikacioni infrastrukturor, si rrjeti super i shpejtë 5G, i cili, pikërisht në këto muaj, është vendosur për të gjitha llojet e kontratave në gjithë botën.
Më shumë se çdo gjë tjetër, kjo është ajo që e ndan me SHBA-të. Në fund të vitit të kaluar, presionet e SHBA-ve, nga të cilat Huawei janë tashmë larguar nga vendi, kanë bindur edhe Australinë dhe Zelandën e Re për ta përjashtuar kompaninë kineze nga marrëveshjet për 5G.
Megjithatë, Britania e Madhe ende nuk ka marrë një vendim të tillë (edhe pse Universiteti i Oksfordit i ka refuzuar fondet e kërkimit të ofruara nga Huawei).
“Nuk janë vetëm SHBA-të, e gjithë pjesa tjetër e botës është shumë e madhe. Do të bëhemi të parët edhe pa tregjet që na përjashtojnë për arsye politike. Do t’ia dalim këtë vit, apo më e shumta në 2020-n”, thotë ai për “La Stampa”. (Tema)