Një bandë hajdutësh profesionistë janë arrestuar nga policia italiane në Trento. 3 nga katër të arrestuarit janë shqiptarë. Ata akuzohen për dhjetëra vjedhje që kapin shifrën 400 mijë euro.
Grupi e kishte bazën në brendësi të Milanos, ndërkohë që 4 banditë të tjerë janë në kërkim. Grupi i të arrestuarve vepronin në një apartament të marrë më qera nga një 22-vjeçare rumune, Cristina Daganel dhe i dashuri i saj Bardhok Rica, 20 vjeç.
Gjatë hetimeve është zbuluar se grupi ka realizuar dhjetëra grabitje në pak muaj. Deri më tani në kuadër të operacionit “Black Point”, janë zbuluar 30 vjedhje, 4 prej të cilave në Bolzano.
Rreth 40 mijë euro mallra janë grabitur vetëm në një vilë luksoze nëntorin e kaluar. Me atë rast u arrestua njëri prej hajdutëve, Bardhok Rica. Grabitjet planifikoheshin me detaje. Përveç shqiptarit Rica, shqiptarët e tjerë të arrestuar janë Klaudio Çoba, 25 vjeç, dhe Asllan Leka, 27 vjeç, të dy banues në Bolzano.
Shenjestrat e tyre ishin vetëm vilat dhe apartamentet. Grupi i shqiptarëve dhe rumunëve, grabisnin gjithmonë në orët e vona të pasdites. Ata ishin të aftë për t’u ngjitur nëpër tubat e gazit, madje, edhe nëpër disa kate.
Më pas, ata hapnin dritaret ose dyert dhe hynin nëpër shtëpi, duke grabitur sende luksoze, çanta, bizhuteri.
/a.rada