Tabloidi britanik “Daily Mail” konsiderohet si një nga faqet kryesore të lajmeve të rreme. Njoftimi kësaj radhe ka ardhur nga browseri i Microsoft, “Microsoft Edge”. Kjo e fundit paralajmëron përdoruesit e internetit që të mos u besojnë lajmeve të “Daily Mail”, si pjesë e fushatës që ka nisur për të programuar një opsion që lufton lajmet e rreme.
Përdoruesit, sapo të hyjnë në “Microsoft Edge”, do të shikojnë një deklaratë ku thuhet se “Daily Mail nuk përmbush në përgjithësi standardet themelore të llogaridhënies dhe saktësisë dhe është detyruar të paguajë dëmshpërblime në shumë raste”.
Ky mesazh që shfaqet në browserin e “Microsoft Edge”, është prodhuar nga një agjenci e quajtur “NewsGuard”, e cila paralajmëron publikun se tabloidi britanik publikon vazhdimisht lajme që kanë dëmtuar reputacionin e të tjerëve, kanë përhapur alarm të rremë dhe kanë cënuar privatësinë e personave.
NewsGuard drejtohet nga gazetarët dhe drejtuesit më me përvojë të industrisë mediatike botërore, të cilët thonë se po përpiqen të krijojnë standarde për cilësinë e lajmeve, aq më tepër në një kohë që është përhapur fenomeni i lajmeve të rreme.
Deri më tani, opsioni i “Microsoft Edge” që filtron lajmet e rreme dhe paralajmëron për faqe abuzive, mund të shkarkohej sipas dëshirës, por gjatë kësaj jave fillon instalimin automatik.
“Daily Mail” dhe pronari i këtij tabloidi nuk i janë përgjigjur një kërkese të “The Guardian” për koment lidhur me këtë çështje.
a.cupaj