Pavarësisht se Ilir Meta refuzoi ta dekretojë në krye të diplomacisë shqiptare, Gent Cakaj është “de facto” kryediplomati i Shqipërisë, pasi kryeministri Edi Rama, njëkohësisht “de jure” ministër i jashtëm, i delegoi këtij të fundit plotësisht kompetencat e ministrit.
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka folur pas delegimit të kompetencave të ministrit të Jashtëm nga kryeministri Edi Rama tek Gent Cakaj.
Meta tha se është e drejtë e qeverisë organizimi i brendshëm, dhe se presidenti nuk ndërhyn, por zbaton kushtutën.
Pyetje: Zoti President, cili është komenti juaj lidhur me vendimin e kryeministrit Rama për delegimin e kompetencave të tij si ministër i Jashtëm tek zv/ministri që ju nuk e dekretuat, z.Cakaj?
Ilir Meta: Presidenti nuk ndërhyn dhe nuk komenton për aktet e organizimit të brendshëm të ekzekutivit apo të ministrive.
Unë si President i Republikës respektoj Kushtetutën dhe i kam shumë të qarta kompetencat e mia se cilit institucion mund t’i delegoj autoritetin kushtetues për të lidhur marrëveshjet ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë.
Por nëse Meta nuk ndërhyn në aktet e organizimit të brendshëm të ekzekutivit apo të ministrive, si mund të refuzojë dekretimin e një ministri të propozuar nga një kryeministër i votëbesuar në popull dhe parlament?
Javanews/a.cupaj