Zv. kryeministri Erion Braçe, pranoi në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi se në Shqipëri ka oligarkë, megjithëse theksoi se kurrkush nuk flet me emra konkretë. Ndyshe nga ish- ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, që e sheh vetëm si përpjekje të opozitës për të kriminalizuar ekonomikë, Braçe thotë se ka njerëz të pasur që përpiqen të ndikojnë në politika dhe vendmarrje.
“Ka njerëz që paragjykojnë garat, në funksion të përfitimeve të tyre personale. Ka njerëz që i mëshojnë garave të drejta dhe transparente. Unë jam nga këta të fundit. Oligarkët nuk luftohen siç thotë Lulzim Basha, që thotë do i fus në burg. Luftohen me ekonomi të hapur dhe konkurruese. Unë mendoj se ne kemi mundësi ta bëjmë këtë gjë”, u shpreh Braçe në “Përballë”.
Braçe ndërkohë nuk komentoi për marrëdhënien aktuale me presidentin e Republikës, Ilir Meta, por i njohu meritën Metës, Nanos e politikanëve të tjerë të vjetër të PS-së për formimin e tij si politikanë.
“Fatos Nano i jam shumë mirënjohës për një pjesë të formimit tim, mendimin e lirë dhe kundërshtues edhe brenda PS. Nuk e mendoj dot veten në një parti si PD që ka drejtuar Sali Berisha”.
Ndonëse dihet se aktualisht Braçe e Meta nuk ruajnë marrëdhënie të mira, zv. kryeministri nuk ushqen ide për shkarkimin e presidentit.
“Presidenti I Republikës nuk mund të shkarkohet asnjëherë në këtë vend. Kërkon 2/3 e votave në parlament dhe po ashtu duhet të kalojë edhe në Gjykatën Kushtetuese”, tha Braçe në RTSH.
/a.meta