Nga Alfred Peza/
Fillimi i sesionit të ri e të rregullt parlamentar, shënon “de facto”, edhe nisjen e një sezoni të ri politik në Shqipëri. Eshtë një sezon që ndryshe nga ai i viteve të shkuara, që ka nisur me zhvillime të reja, në të tria pushtetet: Në ekzekutiv, legjislativ dhe drejtësi.
Në pushtetin ekzekutiv, zhvillimet lidhen jo vetëm me ndryshimet që u votuan pak ditë më parë në seancën e jashtëzakonshme, por edhe këtë të hënë të 21 janarit, me përbërjen e kabinetit qeveritar. “Rama 2” është tashmë një qeveri e rinovuar në më shumë se gjysmën e saj, ndërsa vetë Kryeministri për herë të parë pas 1990, do të mbajë edhe “de jure”, funksionet e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme.
Në pushtetin legjislativ, zhvillimi kryesor ishte përfundimi i bojkotit nga ana e opozitës pas 6 muajsh qëndrimi jashtë sallës së Parlamentit përgjatë 2018 dhe rikthimi i saj, për të marrë pjesë rregullisht në të. Një pjesëmarrje e cila, nisur nga e shkuara dhe temperaturat politike të ditëve të para 2019, pritet që të shoqërohet me debate dhe tone të ngritura. E gjitha, në funksion të show-t politik përpara votuesve të vet, për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme lokale të 30 qershorit.
Në pushtetin e drejtësisë, zhvillimet kanë qenë edhe më të mëdha, por të lëna paksa në hije. Zhurma e protestave të studentëve, zhurma e akuzave të opozitës, zhurma e lojës presidenciale me dekretet e ministrave të qeverisë Rama, e kanë shfokusuar vëmendjen e medias dhe opinionit publik mbi drejtësinë. Pas procesit të vettingut, që ka nxjerrë jashtë sistemit të vjetër e të kalbur rreth 50 gjyqtarë e prokurorë, në dhjetor nisi ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë.
Këto ditë ka rinisur puna dhe brenda pranverës pritet të kemi Prokurorin e Përgjithshëm të Përhershëm të Republikës, “Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” (SPAK) dhe “Byronë Kombëtare të Hetimit” (BKH). Kjo do të thotë se do rihapen dhe rihetohen të gjitha skandalet dhe dosjet e krimeve më të bujshme të Shqipërisë së tri dekadave të fundit, ku në syrin e ciklonit do të jetë elita e korruptuar politike e post komunizmit dhe kokat e krimit të organizuar e të korrupsionit.
Nga njëra anë opozita ka shpallur si prioritet politik për këtë sezon të ri, rrëzimin e Edi Ramës. Një strategji që ka marë menjëherë kritika brenda kampit të djathtë, për shkak se personalizimi i një misioni për rikthimin e opozitës në pushtet, thjeshtë e çon atë në dështim të sigurtë. Kritikët thonë se opozita e bashkuar ka nevojë për një projekt të qartë politik, për një program dhe një strategji që do të frymëzojë njerëzit, do të krijojë frymën e ndryshimit dhe do ti çojë qytetarët shqiptarë drejt kutive të votimit në zgjedhjet e ardhshme, për të bërë ndryshimin.
Paqartësi brenda kampit opozitar ka edhe për rrugën që PD dhe LSI gjykojnë se do ti çojë drejt arritjes së objektivave të tyre politikë. Në mblëdhjen e Këshillit Kombëtar të PD, Basha tha se “protesta dhe qeveria kalimtare” është zgjidhja. Ndërsa për Monika Kryemadhin, zgjidhje vjen nga “zgjedhjet lokale dhe ato të përgjithshme”, në të njëjtën ditë. Partitë e tjera më të vogla brenda opozitës, kanë shpallur projektin për krijimin e një poli të tretë politik, pasi shohin që aleatët e tyre më të mëdhenj në koalicion, nuk pritet të përmbushin kërkesat e tyre në reformën e re zgjedhore që po diskutohet në Parlament.
Në këtë panoramë të përgjithëshme zhvillimesh dinamike dhe të pritshme, mazhoranca ka vetëm një sfidë në horizont. Fokusi është tek kryeobjektivi i këtij viti; marrja e datës për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ecuria e reformës në drejtësi, stabiliteti politik e makroekonomik i vendit, goditja e krimit të organizuar dhe arrestimi i “Peshqve të mëdhenj” janë disa nga detyrat që janë artikuluar edhe nga Brukseli, për tu përmbushur në dinamikë.
Shqipëria në këtë proces, është bashkudhëtare me Maqedoninë, e cila nga ana e saj, po i përmbush “detyrat e shtëpisë” si në planin e brendshëm, ashtu edhe në raport me Athinën zyrtare. Në këto kushte, për Shqipërinë zgjedhjet e 30 qershorit të këtij viti, janë thjeshtë një stacion i ri i radhës, në përmbushje të standardeve demokratike të vendit. Por kryesfida mbetet diçka tjetër. Ndaj pyetja për 2019 është: A do e mari Shqipëria datën e hapjes së negociatave për anëtarësimin në BE? Kjo është çështja!