Një ditë pasi u takua me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, senatori amerikan Lindsey Graham tha se shpreson që Presidenti Donald Trump të mos bëjë një tërheqje të plotë nga Siria, deri kur Shteti Islamik të jetë mposhtur.
Graham tha të shtunën në Ankara se “objektivi i mposhtjes së ISIS’it nuk është arritur ende”. Ligjvënësi amerikan tha se tërheqja amerikane nga Siria pa një plan do të shkaktonte kaos dhe do ta tensiononte gjendjen në Irak.
Takimi i së premtes në Ankara, ishte përpjekja më e fundit për të çtensionuar marrëdhëniet dypalëshe lidhur me Sirinë. Forcat turke vazhdojnë të jenë të grumbulliar në kufirin verilindor të Sirisë, të gatshme për të ndërmarrë ofensivë ndaj milicive kurde, YPG, që janë aleate të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara kundër Shtetit Islamik. Ankaraja i konsideron ata terroristë që kanë lidhje me një kryengritje brenda Turqisë./a.meta