Fenomeni i mashtrimit me anë të ndërtimeve vijon ende dhe krijon gjithmonë viktima. Një prej tyre në Tiranë ka humbur qindra milionë lekë, të cilat ia kishte dhënë ndërtuesve. Në një pallat në zonën e Paskuqanit Telha Mici, duhej të kishte dy apartamente dhe dyqanin e tij. Por në realitet ai sot ka në dorë vetëm një dosje me kontrata dhe fatura bankare.
Mici është i mashtruari i radhës nga ndërtues që u marrin paratë klientëve të tyre dhe më pas ua shesin pronat që kanë porositur, duke i përvetësuar edhe paratë. Mici tregon për Top Channel, historinë e tij të mashtrimit nga ndërtuesit Bahri Alla dhe Fatmir Kurti dhe shumën e parave që i kanë marrë.
“174 milionë lekë unë ia kam dhënë Bahri Allës dhe Fatmir Kurit për të blerë dy apartamente dhe një dyqan. Pas një viti që i kisha dhënë lekët me thanë që nuk janë bërë akoma letrat e pronave. Por unë kisha dëgjuar nga njerëzit e tjerë që ishin mashtrues dhe i kërkova me insistim pronat e mija ose leket dhe ata prapë më thonin se nuk ishin bërë letrat e pronave”, u shpreh Telha Mici, i dëmtuari.
Por çfarë kishte ndodhur në të vërtetë me pronat që Mici kishte porositur me akte të rregullta noteriale tek ndërtuesit Kurti dhe Alla.
“Pronat e mia ia kishin shitur personave të tjerë madje i kishin shitur edhe nga dy herë”, shton Telha Mici.
Aktualisht ndërtuesit Bahri Alla dhe Fatmir Kurti pritet të gjykohen për akuzat e mashtrimit me pasoja të renda të kryer në bashkëpunim.
I dëmtuari Mici akuzon Gjykatën se megjith kërkesat e Prokurorisë, dy të akuzuarit janë liruar nga paraburgimi. Ndërsa tani më shumë se tek Gjykata Mici beson tek media.
“Me shume besim kam tek ju ,se po të jetë për gjykatat, ata nuk i japin vendimet sipas letrave, por sipas qejfit”, shprehet ai./tch
/a.meta