Duke përmendur mbylljen e pjesshme të Qeverisë, presidenti amerikan, Donald Trump ka detyruar anulimin e një udhëtimi që ishte planifikuar ta realizojë kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në Afganistan.
Trump i ka thënë në një letër Pelosit se delegacioni kongresional, i cili ishte planifikuar të vizitojë trupat amerikane në Afganistan si dhe të bëjë një ndalesë në Bruksel, nuk do të mund të udhëtojë me aeroplan ushtarak, pasi këto takime i ka cilësuar si “ngjarje të marrëdhënieve me publikun”.
“Teksa 800,000 punëtorë amerikanw të shkëlqyeshëm nuk janë duke u paguar, unë jam i sigurt se pajtoheni që shtyrja e kësaj ngjarjeje të lidhur me marrëdhëniet me publikun është vendim i duhur”, ka thënë Trump në një letër.
“Ne do të riorganizojmë këtë udhëtim kur të përfundojë mbyllja e qeverisë”, ka shtuar ai, duke përmendur se Pelosi dhe ligjvënës të tjerë janë të lirë të udhëtojnë përmes linjave komerciale.
Pelosi në anën tjetër nuk e ka komentuar vendimin e Trumpit, të cilin ka të drejtë ta marrë, si komandant i ushtrisë.
Më vonë, Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders ka njoftuar anulimin e udhëtimit të delegacionit amerikan në Forumin Ekonomik Botëror që mbahet në Davos të Zvicrës.
Mospajtimet politike në mes të liderëve shtetërorë kanë rezultuar me ditën e 27 të mbylljes së qeverisë, njëherësh mbylljes më të gjatë në historinë amerikane.
Qeveria është mbyllur pjesërisht pasi Trump kërkon më shumë se 5 miliardë dollarë për të ndërtuar murin me Meksikën, propozim i kundërshtuar nga demokratët./REL
a.cupaj