Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, deklaroi se Serbia ka mbështetjen e plotë të Moskës për arritjen e një zgjidhjeje me kompromis me Kosovën, dhe se Presidenti rus, Vladimir Putin, i cili sot ndodhet për vizitë në Beograd, nuk sjell zgjidhjen për Kosovën, por pyet Serbinë se cila është zgjidhja.
“Nuk sjell zgjidhjen, ai na pyet neve cila është zgjidhja. Me të në pesë, gjashtë vitet e fundit rregullisht shkëmbejmë informacione”, i ka thënë Daçiç televizionit N1, transmeton Koha.net.
I pyetur se çfarë i thonë Putinit kur i pyet se cila është zgjidhja, Daçiç është përgjigjur: “Ju i dini propozimet tona për zgjidhje me kompromis, ai na mbështet për gjetjen e një kompromisi, kritikon veprimet e njëanshme të Prishtinës dhe është aktiv në mbështetjen tonë në organizatat ndërkombëtare”./a.meta