Ishte një mbrëmje me aksion të lartë dhe një dramë të padëgjuar, që do të ketë një ndikim shumë më larg se sa Mbretëria e Bashkuar. Plani i kryeministres Theresa May për të lënë Bashkimin Europian – i vetmi në tryezë – u votua nga parlamenti të martën. Dhe duke pasur parasysh rrjedhën e vazhdueshme të analizës dhe spekulimeve, mund te ndiheni paksa të tronditur nga të gjitha. Le ta shohim më tej…
Për çfarë ishte votimi?
Politikanët po votonin për marrëveshjen me të cilën znj. May bëri me Bashkimin Europian pas më shumë se dy vitesh negociata.
Kjo marrëveshje përcaktoi një plan për mënyrën se si Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga BE më 29 mars.
Ajo mbulonte disa çështje jashtëzakonisht të rëndësishme, të tilla si çfarë do të ndodhë me qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar që jetojnë në BE dhe sa para do të duhet të paguajë Britania e Madhe për t’u larguar.
Nëse do të miratohej, atëherë do të hynte në fuqi më 29 mars, vetëm pas 73 ditësh. Kohë e mjaftueshme – të paktën sipas standardeve të Brexit.
Por një gjë që kemi mësuar deri tani është se rruga e Brexit rrallë është e qetë …
Çfare ndodhi?
Ishte lloji i rezultatit për të cilin znj. May do të kishte pasur makthe.
Anëtarët e Parlamentit (deputetët) votuan me një diferencë të madhe prej 230 votash për të kundërshtuar marrëveshjen e saj.
Prej tyre, 118 ishin nga Partia Konservatore e Znj. May.
Ishte humbja më e madhe në histori për një qeveri dhe tregoi se sa e papëlqyer ishte marrëveshja.
Pika më e debatueshme ishte çështja e të ashtuquajturit “backstop”.
Ky është një lloj rrjeti sigurie i projektuar për të parandaluar kontrollet kufitare fizike midis Irlandës së Veriut, e cila është pjesë e Britanisë së Madhe dhe Republikës së Irlandës, e cila është anëtare e BE.
Pse ka rëndësi?
Disfata është një goditje masive për zonjën May dhe hedh më shumë dyshime mbi procesin e Brexit. Data e Brexit është vetëm pak më shumë se dy muaj larg, por Britania e Madhe nuk është ende e qartë se si saktësisht do të largohet nga BE.
Zakonisht, një humbje e tillë dërrmuese do të pasohej nga dorëheqja e kryeministrit.
Por, duhet thënë se këto janë kohë jo edhe aq të zakonta.
Çfarë vjen më pas?
Udhëheqësi i opozitës, Jeremy Corbyn, ka paraqitur atë që njihet si një votë e mosbesimit në qeveri.
Kjo u lejon deputetëve të vendosin nëse duan që qeveria të vazhdojë.
Ajo do të mbahet të mërkurën në mbrëmje dhe nëse parlamenti vendos se nuk dëshiron që qeveria të vazhdojë, atëherë mund të shkaktojë zgjedhje të përgjithshme.
Nëse, siç thonë shumë analistë, znj. May mund t’i mbijetojë votimit, atëherë ajo thotë se do të paraqitet në parlament me një plan tjetër Brexit të hënën.
Por në këtë fazë, nuk ka fare kuptim se si do të dukej një plan tjetër.
Nëse parlamenti nuk e ndryshon mendjen atëherë ekzistojnë disa mundësi të ndryshme.
Nëse nuk ndodh asgjë tjetër, do të jetë një Brexit pa marrëveshje. Kjo do të thotë – siç mund të prisni – Britania e Madhe largohet më 29 mars pa një marrëveshje formale.
Gjë që nënkupton se s’do të ketë asnjë periudhë tranzicioni dhe do të jetë një shkëputje e papritur në marrëdhëniet e Mbretërisë së Bashkuar me BE.
Qeveria gjithashtu mund të propozojë të negociojë një marrëveshje të re, edhe pse kjo mund të nënkuptojë të kërkosh kohë shtesë nga BE.
Mund të ketë edhe një referendum tjetër, ose zonja May mund të vendosë që zgjedhjet e përgjithshme janë mënyra më e mirë për t’i dhënë fund bllokimit.
Sido që të jetë, Britania e Madhe është në një territor të paeksploruar dhe ora e Brexit po troket.
BBC-Shqipëroi për TemA: Diona Çeço