Kolegji i Apelimit njoftoi të martën se ka kërkuar të dhëna shtesë nga sistemi TIMS për udhëtimet jashtë vendit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj.
Nga Besar Likmeta
Kolegji i Posaçëm i Apelimit mbajti të martën seancën e gjashtë të procesit të ankimit të Komisionerit Publik ndaj vendimit Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të konfirmuar në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj.
Kjo seancë zgjati vetëm pak minuta, gjatë së cilave kryesuesi i trupës gjykuese Luan Daci njoftoi se Kolegji kishte marrë një vendim të ndërmjetëm për të kërkuar të dhëna nga sistemit TIMS për udhëtimet e subjektit jashtë shteti për vitet 2004-2008, të cilat nuk ndodheshin në dosjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Daci shtoi se në pritje të të dhënave të sistemit TIMS, seanca e Kolegjit shtyhet deri me datë 22 janar.
Islamaj ka një karrierë të gjatë në gjyqësorin shqiptar dhe para se të emërohej në Gjykatën e Lartë, ka mbajtur poste të ndryshme, përfshirë gjykatës i Shkallës së Parë, kryetar gjykate, kryeinspektor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjykatës Apeli.
Ai iu nënshtrua procesit të rivlerësimit për shkak të funksionit dhe hetimi administrativ i udhëhequr nga Genta Tafa Bungo, arriti në përfundimin se i përmbushte të tre kriteret e vetingut, përfshirë integritetin e figurës, profesionalizmin dhe kontrollin e pasurisë.
Megjithatë, vendimi i KPK-së për sa i përket kontrollit të pasurisë u kontestua nga Komisioneri Publik, i cili çmoi se “procesi i hetimit i Komisionit për kriterin e vlerësimit të pasurisë nuk është i plotë, ka mangësi dhe për rrjedhojë në gjendjen që janë aktet nuk mund të konkludohet se subjekti i rivlerësimit ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë së tij.”