Ndonëse deputet dhe kryeministër i vendit, Edi Rama është ende në pritje të dekretimit të tij nga Presidenti Ilir Meta në funksionin e ministrit të Jashtëm, të cilin vendosi ta marrë vetë përsipër pas konfliktit me kreun e shtetit mbi kandidaturën e refuzuar të Gent Cakës. Vetë Ilir Meta ka deklaruar se do të marrë kohën e nevojshme, ndërkohë që ka interpretime sipas të cilave Rama nuk mund të mbajë të dyja funksionet njëkohësisht, si atë të kryeministrit ashtu edhe atë të ministrit të Jashtëm.
Por në historinë e republikës, që nga miratimi i Kushtetutës e deri më sot, janë të shumta rastet kur një ministër ka mbajtur edhe funksion tjetër në Qeveri. Referuar të dhënave të Institutit të Studimeve Politike, vetë Ilir Meta rezulton të ketë qenë 3 herë zv/kryeministër dhe ministër, duke nisur në vitin 1998, ku përvecse numri dy i qeverisë Majko, ishte ministër i Koordinimit Qeveritar.
Në vitin 2002, Meta ka qenë zv/kryeministër dhe ministër i Jashtëm në Qeverinë Nano, ndërsa të njëjtat funksione njëkohësisht i ka mbajtur edhe në 2009-ën me Qeverinë Berisha. Në pozicione të ngjashme kanë qenë edhe Makbule Ceco, Skëndër Gjinushi dy herë, Ermelinda Meksi, Edmond Haxhinasto dhe Myqerem Tafaj./a.meta