I shumëkërkuari Klement Balili është vetëdorëzuar në Policinë e Shtetit mëngjesin e kësaj të marte.
Lajmi konfirmohet për Top Channel nga njëri prej avokatëve të tij, Baftjar Rusi, i cili pohon vetëdorëzimin.
Balili ndodhet në Policinë e Shtetit së bashku me avokatin tjetër, Theodhori Sollaku.
Vetëdorëzimi i tij vjen vetëm pak ditë pasi një burim nga Ministria e Drejtësisë njoftoi se Greqia i është përgjigjur në fund të dhjetorit të kaluar, përmes një letërporosie, kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që këmbëngulte t’i dorëzoheshin prova shtesë të 46-vjeçarit.
Kjo letërporosi ishte justifikimi kryesor i Prokurorisë, që në vitin 2018 zgjati tri herë afatin hetimor për Balilin, i etiketuar ndryshe si “Eskobari i Ballkanit”, por që për shkak të dështimit të policisë për ta arrestuar u quajt nga ish-ambasadori Donald Lu edhe si “magjistari”.
Prej dy vitesh, Klement Balili vazhdon ta kthejë duarbosh policinë gjatë aksioneve të dështuara për arrestimin e tij.
Sakaq në orën 12.00 të mesditës së sotme, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka paralajmëruar një konferencë për mediat.
/a.rada