Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka konfirmuar kapjen e Klement Balilit, i njohur si “Escobari i Ballkanit”.
Në një konferencë për mediat, Lleshaj u shpreh se shërbimet partnere që asistojnë pranë Policisë Shqiptare kanë mundësuar dorëzimin e tij.
“Policia shqiptare ka finalizuar një operacion të gjatë e të ndërlikuar për Klement Balilin. Nga sot Policia ka në duart e saj një nga personat e saj më të kërkuar, ndërsa qytetarët marrin një mesazh të rëndësishëm nga policia që duan.
Rruga e vetme për ta është bashkëpunimi me drejtësinë, rrugë tjetër për ta nuk ka. Të gjitha institucionet janë sot të inkurajuara për të luftuar krimin dhe korrupsionin, për të mundësuar progresin e shpejtë drejt integrimit të vendit në BE.
Procesi është rezultat i një bashkëpunimi të gjerë me partnerët tanë të cilët kanë mundësuar që Balili të dorëzohet në Policinë e Shtetit. Detaje nuk mund të japim. – tha ministri Sandër Lleshaj.
I pyetur nëse Balili ka udhëtuar vetë drejt Tiranës, ministri sqaroi se:
“Për të gjithë që kanë njohur rreth natyrës së operacioneve, e di mirë se kurrë nuk mund të ketë një udhëtim vullnetar të elementëve të tillë drejt stacioneve të policisë”.
Balili ishte në kërkim nga autoritetet shqiptare për më shumë se dy vite dhe gjatë kësaj kohe nuk ishte bërë e mundur që të prangosej, edhe pse ka pasur disa aksione policore. Prokuroria shqiptare për Balilin ka të faktuar të paktën një episod trafiku kanabisi nga Shqipëria drejt Greqisë. Në një gomone të nisur nga Saranda u transportuan 700 kilogramë hashash.
Grupi i Kelmend Balilit po hetohet për 6 raste të trafikut të drogës në sasi të mëdha drejt Europës. Bazuar në hetime, Prokuroria greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane ka arritur të vërtetojë se grupi koordinohej nga Dhimitër Poti i arrestuar në Belgjikë dy vite më parë. Ngarkesa e fundit prej 100 kilogramë kanabis është kapur në Maj të vitit 2016 në depot e firmës së transportit të Potit në Belgjikë.
Por kush është Klement Balili?
Ai ka qenë për 2 vite Drejtor i Drejtorisë së Transporteve në qytetin e Sarandës në 2016, emëruar nga LSI-ja.
Pikërisht në këtë vit nisi edhe historia. Mediat greke në 2016 pohuan se një sasi prej 700 kilogramë Cannabis Sativa që u sekuestrua asokohe në vendin helen i përkiste Kelment Balilit. Hetimi ndaj Balilit në Greqi, është bërë nga “DEA” amerikane dhe policia greke. Në këtë hetim, DEA amerikane e policia greke, janë asistuar edhe nga policia shqiptare.
Balili të vetmen dalje publike e ka në 2016 duke mohuar akuzat e drejtësisë greke më pas u arratis, pasi u shpall në kërkim. Ai është pronar i disa bizneseve duke filluar nga “Santa Quaranta” në Sarandë, hotel Olivia në bregdetin e Butrintit, ndërkohë që së bashku me vëllezërit e tij ka qenë pronar i shoqërisë së sigurisë private “Balili shpk” në qarkun e Vlorës dhe disa bizneseve të tjera.
Pas shpalljes në kërkim atij iu bllokuan asetet që kishte në pronësi, ndërsa dështuan disa operacione për ta prangosur. Për arrestimin e Balilit nuk kanë munguar dhe qëndrimet e selive diplomatike. Ish-ambasadori amerikan Donald Lu gjatë mandatit që shërbeu në Shqipëri e cilësoi “peshk i madh”
a.cupaj